Arrestohet në SHBA iraniani që futi në sherr Turqinë

Biznesmeni iranian Reza Zarrab, një nga njerëzit më të pasur në vend është arrestuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi akuzohet për mashtrim.

Bota

23/03/2016 18:47

Biznesmeni në fjalë i bëri “ballë” sanksioneve të Perëndimit ndaj vendit të tij, duke zhvilluar tregti të fuqishme me Turqinë, veçanërisht në arit dhe valutës. Vetëm 33 vjeç, ai është pronar dhe operatori i “Royal Holding A.Ş”.

Lidhjet e tij të shumta me zyrtarë të lartë turq deri në rang ministrash, e bënë atë njeriun kyç të tregtisë midis dy vendeve.

Për shkak të tij, dy vite më parë disa fëmijë ministrash të kabinetit të kryeministrit të asaj kohe Erdogan, përfunduan në pranga për korrupsion, çka çoi në dorëheqjen e baballarëve të tyre, duke shkaktuar furtunë politike në vend.

Biznesmeni, nëpërmjet lidhjeve me zyrtarë të lartë të Turqisë arriti të pastronte miliona dollarë, jo vetëm nëpërmjet bankës shtetërore turke, por edhe në rrugë private. Kuti këpucësh të mbushura me dollarë u gjetë në banesat e të arrestuarve.

Zarrab bashkë me dy iranianë të tjerë, Kamelia Jamshidy, 29-vjeç dhe Hossein Najafzadeh, 65-vjeç, akuzohen se për rreth 5 vite, nëpërmjet një rrjeti kompanish kanë kryer transaksione në qindra milionë për interes të qeverisë dhe subjekteve të tjera iraniane, të cilat kanë qenë pjesë e “listës e zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në aktakuzën e SHBA-ve theksohet se në dhjetor të vitit 2011, Zarrab mori një draft-letër në persisht, e cila i drejtohej Drejtorit të Përgjithshëm të Bankës Qendrore të Iranit dhe ishte përgatitur për t’u firmosur nga Zarrab.

Letra vlerëson rolin e Ajatollah Ali Khamenei, liderit suprem të Iranit dhe zyrtarëve në “Markazi Bank” për veprime të cilat “me zgjuarsi neutralizonin sanksionet dhe madje i shndërronin ato në mundësi të arta”.

 

Letra ofronte vullnetarisht shërbimet e familjes Zarrab, për të cilën thuhet se kishte “një gjysmë shekulli përvojë në shkëmbimin e valu tave të huaja”, për implementimin e politikave anti-sanksion në një të ashtuquajtur “xhihad ekonomik”, të miratuar nga Khamenei.

Zarrab, i cili ka nënshtetësi turke dhe iraniane, u akuzua dhe u arrestua në vitin 2013 si një ndër personat kyç në megaskandalin e korrupsionit që përfshinte ish-ministra të kabinetit Erdogan.

Bloomberg News, e cila i referohet dosjes së policisë dhe dokumentacionit të gjykatës, thekson se në këtë rast, Zarrab u akuzua për korruptimin e disa prej ish-ministrave të kabinetit të Erdoganit me miliona dollarë në para në dorë dhe dhurata të shtrenjta, në këmbim të ndihmës së tyre për lehtësimin e tregtisë së floririt me Iranin.