Ankesat dhe presioni shtyjnë për një javë publikimin e listave të veteranëve

Ankesat e shumta që i janë drejtuar Komisionit qeveritar për verifikimin e statusit së veteranit të UÇK-së, kanë detyruar këtë komision që të shtyjë afatin e publikim të listave.

Lajme

18/02/2015 16:33

Publikimi i listave të veteranëve  të UÇK-së, për zonat që ende nuk janë publikuar, është shtyrë deri  në fund të muajit.

Kjo është bërë e ditur nga kryetari i Komisionit qeveritar, Agim Çeku. Ai ka thënë se zgjatja e afatit të publikimit të listave edhe për një javë tjetër është bërë me qëllim të verifikimit edhe njëherë të listave të veteranëve.

“Meqenëse po shfaqën pakënaqësi, kemi marrë vendim që edhe për një javë tjetër të zgjatet afati me qëllim që komandantët edhe njëherë t’i shqyrtojnë listat”, ka thënë Çeku për gazetën  Zëri.

Ndryshe paralajmërimi për publikimin e listave ka qenë deri më 20 shkurt, por Komisioni ka vendosur edhe një javë shtesë për verifikim të listave të veteranëve.

Lista për njohjen e statusit së veteranit të UÇK-së deri më tani është publikuar për tri zona: atë të Llapit, të Karadakut dhe të Nerodimes, ku ka pasur shumë pakënaqësi dhe dyshime për manipulime.