Ambasadori norvegjez: A është Vetëvendosje kundër Amerikës?

Ambasadori i Norvegjisë në Prishtinë, Jan Braathu, ka kundërshtuar fushatën e organizuar një ditë më parë nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje kundër shitjes së prodhimeve serbe në Kosovës, në veçanti kundër ujit “Rosa”, që ka vërshuar shitoret anembanë vendit. 

Lajme

10/09/2014 13:53

Ambasadori Braathu në profilin e tij në Facebook ka shkruar nëse Lëvizja Vetëvendosje është kundër Amerikës, pasi sipas tij pronare e ujit “Rosa” është “Coca Cola”, ikonë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.  

“Rosa është pronësi e Coca Cola-s …
Coca Cola është ikonë e Amerikës, VV është kundër Amerikës?”, ka shkruar ambasadori Braathu në Facebook.

Një ditë më parë, aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje realizuan një aksion simbolik në billbordat e qytetit ku është reklamuar Uji “Rosa”,  i cili është produkt që vjen nga Serbia.

Ata shkruan në billborda “Produkt i Serbisë – bojkotoje”.

“Duhet pasur parasysh se përdorimi i produkteve nga Serbia e ndihmon më shumë shtetin dhe ekonominë serbe, duke dëmtuar atë tonën. Ne duam të kujtojmë se vërshimi i këtyre produkteve është vazhdimësi e dëmtimit të ekonomisë tonë nga Serbia”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga VV.

“Bojkoti duhet të zgjasë deri kur Serbia ta njohë shtetin tonë, t’i pranojë krimet e kryera, t’i paguajë dëmshpërblimet për dëmet e shkaktuara dhe t’i largojë strukturat ilegale e kriminale nga vendi ynë”.

“Kurse, sa i përket ujit Rosa, duhet cekur se në mos asgjë, Kosova prodhon ujë. Kosova ka mbi 20 kompani të ujit që duhen mbështetur nga të gjithë ne, e në radhë të parë nga institucionet shtetërore”.

Ky aksion u organizua në vijim të fushatës së Lëvizjes Vetëvendosje për mbështetjen e prodhimeve vendore “Duaje Tënden” dhe bojkotimin e produkteve që vinë nga Serbia.