Aktakuzat dhe arrestimet – brenda gjashtë muajve priten zhvillime dramatike nga Specialja

Specialja e ka lënë pak anash punën e ftesave të reja për ish-ushtarët e UÇK-së. Ky institucion ka nisur angazhimet përbrenda institucionit të saj, teksa është në përgatitje e sipër për dërgimin e aktakuzave në gjykatë. Së fundmi, kjo gjykatë ka caktuar edhe gjyqtar të procedurës paraprake.

Lajme

06/03/2020 13:01

Nicollas Guillou është gjyqtari francez që është përcaktuar si gjykatës i procedurës paraprake për dy aktakuza ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së, shkruan lajmi.net.

Të njëjtave aktakuza iu duhet edhe konfirmimi i gjykatës për t’i hapur rrugë më pastaj nisjes së procedurave gjyqësore.

Nga institucioni i Gjykatës Speciale për lajmi.net thonë se për konfirmimin ose hudhjen poshtë të aktakuzave, duhet të merret vendim konkret brenda 6 muajsh.

Angela Griep, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara të Gjykatës për lajmi.net ka thënë se informacionet lidhur me aktakuzat, janë rreptësisht konfidenciale.

“Çdo informacion për aktakuzat është konfidencial deri sa gjyqtari i procedurës paraprake të konfirmojë akuzat. Gjyqtari i procedurës paraprake ka gjashtë muaj kohë që të marrë vendim ose ta hedh poshtë aktakuzën ose ta konfirmojë atë”, ka thënë Griep për lajmi.net.

Sidoqoftë, spektakli i arrestimeve mund të mos mungojë gjatë kësaj periudhe. Shkas për këtë mund të bëhet pikërisht ikja nga Specialja e disa prej ish-ushtarëve të UÇK-së të ftuar më herët, mirëpo edhe gjatë ditëve të fundit.

Këtë e konfirmon për lajmi.net edhe nënkryetari i OVL UÇK-së, Nasim Haradinaj.

Ai thotë se organizata ku ai bën pjesë u ka bërë disa herë thirrje veteranëve që t’i përgjigjen ftesave, ngase siç thotë ai, aktakuzat ende nuk janë ngritur dhe se ata që e thonë një gjë të tillë nuk po e thonë të vërtetën.

“Ne prap ju kemi ba thirrje për t’iu përgjigjur. Ata që po thonë se janë të akuzuar, njëherë për njëherë është e pavërtetë. Unë mendoj që nuk duhet dhënë rast apo precedent Speciales për të filluar me arrestimet, pra mos me pas atë të drejtë ata me arrestu ku të duan dhe ku të ju teket. Mendoj që këto ikje mund të shërbejnë si precedent për arrestime, mirëpo ata që thonë se janë akuzuar nuk është ashtu, pra është caktuar gjyqtar i procedurës paraprake por jo aktakuzë”, ka thënë fillimisht Haradinaj.

Ai konfirmon se ditëve të fundit nuk ka pasur ftesa të reja, por që thotë se nuk do të çuditej për cilindo ish-ushtar që në të ardhmen mund të bëhet cak i Speciales.

“Na informacionet i marrim prej njerëzve individualisht,  mirëpo kohëve të fundit nuk është lajmëruar dikush. Neve nuk na çudit asnjë ish-ushtar i UÇK-së që faktikisht mund të ftohet nga kjo gjykatë”, ka thënë ai.

Faik Zogaj është njëri prej ish-ushtarëve të UÇK-së që së fundmi e ka refuzuar ftesën e Speciales.

Ai për lajmi.net thotë se ndaj këtij qëndrimi do të jetë konsistent dhe se nuk e njeh institucionin në fjalë, përderisa thotë se është krenar me luftën mbrojtëse të UÇK-së

“Përderisa kemi mbrojtur qytetarët tanë dhe nuk kemi shkuar në Serbi me luftu, por ata kanë ardhur në Kosovë, bile kanë sjellë edhe nga Rusia. Dhe njëherë e citoj po të filloj nesër prap lufta, prap do i dal në mbrojtje vendit tim, për të cilin jam shumë krenar që luftova në mbrojtje të qytetarëve të mij”, ka thënë Zogaj për lajmi.net.

Zogaj që është ftuar së fundmi nga Specialja, ka thënë se është ftuar në cilësinë e të akuzuarit, por që një gjë e tillë mund të jetë juridikisht e pamundur, përveç nëse të njëjtit i është konfirmuar aktakuza.

Përveç gjykatës,  edhe Prokuroria e Specializuar po tregohet jashtëzakonisht e mbyllur sa i përket dhënies së informatave lidhur me statusin e hetimeve të saj.

Chris Bennet, nga zyra për media e Dhomave të Specializuara të Prokurorisë Speciale për lajmi.net thotë se as institucioni i tij, nuk jep detaje lidhur me hetimet që ndërmerr, apo për aktakuzat.

“Ne nuk japim detaje për formën apo statusin e hetimeve”, ka thënë shkurtimisht Bennet për lajmi.net.

Edhe dokumentet të cilat janë publikuar së fundmi nga Specialja ku bëhet e ditur për caktimin e gjyqtarit të procedurës paraprake, para se të bëheshin publike, e kanë pasur statusin e dokumenteve konfidenciale.

Të njëjtat janë bërë publike vetëm 10 ditë pas caktimit të gjyqtarit të procedurës paraprake për dy aktakuzat e dërguara në këtë institucion. /Lajmi.net/