Aksionet antikanabis, asgjësohen mbi 8600 rrënjë në tri qytete në Shqipëri
Policia e Shqipërisë ka asgjësuar mbi 8640 rrënjë bimësh narkotike në tre operacione të ndryshme të zhvilluara në Shkodër, Mirditë dhe Vlorë.
Lajme
Burime zyrtare të Top Channel, bëjnë të ditur se në qarkun e Shkodrës janë gjetur 20 parcela me 2700 rrënjë kanabis.
Ato ishin mbjellë në fshatrat Vilë, Serme dhe Qerret të qarkut Shkodër, në Bratosh e Kastrat të Malësisë së Madhe, në fshatin Lum-Zi të Pukës, si dhe në vendin e quajtur Bjeshkët e Merturit, në Fushë-Arrëz.
Ndërsa në Mirditë janë gjetur 2320 rrënjë kanabis dhe është arrestuar kryeplaku i fshatit Shpërthazë, Gjergj Gera, për moskallëzim krimi dhe shpërdorim detyre. Droga është gjetur në vendin Suk Munagje, të shpërndara mes shkurreve.
Dhe në qarkun e Vlorës janë gjetur dhe asgjësuar 3620 rrënjë kanabis sativa, të kultivuara në 34 parcela. Bima e hashashit ishte mbjellë në fshatrat Treblovë, Lubonjë, Gjorm, Kallarat dhe Tërbaç. Policia po punon për identifikimin e kultivuesve të drogës.