Agjencia e Punësimit: Çdo vit në Kosovë hapen rreth 10 mijë vende të reja pune

Në Kosovë, brenda një viti, tregut të punës i shtohen më shumë punëkërkues sesa vende të reja pune. Në një konkurrencë tillë, gjasat për t’u punësuar shpejt përcaktohen nga profesioni.

Lajme

05/06/2022 18:56

Por, cilat janë profesionet më me perspektivë në Kosovë?

Sipas Agjencisë së Punësimit, çdo vit në Kosovë hapen rreth 10 mijë vende të reja pune, ndërsa shtohen rreth 14-15 mijë punëtorë të rinj në treg.

Shpëtim Kalludra nga Agjencia e Punësimit këshillon të rinjtë që të mos studiojnë shkencat sociale, pasi nuk ka shumë treg për to.

“Kemi mungesë të inxhinierëve të mekanikës dhe elektronikës. Elektronika është në zhvillim e sipër. Prandaj, shkencat elektro-teknike do të ishte mirë që të jenë orientim për të rinjtë në mënyrë që të jenë më të suksesshëm në tregun e punës”.

“Ka shumë profesione si programerë e dizajnerë që ka kërkesë të madhe në tregun e punës, madje ata mund të qëndrojnë fizikisht në Kosovë e virtualisht të kryejnë punë në vende të tjera”, ka thënë Kalludra për REL-in.

Pagat në sektorin e teknologjisë informative mund të nisin nga 500 e deri në mijëra euro, varësisht nga specializimi.

Ndonëse nuk ka shifra të sakta për numrin e pozitave të hapura në fushën e teknologjisë informative në Kosovë, ekspertët besojnë se sektori është në rritje të madhe, por në të njëjtën kohë ka mungesë të kuadrove.

Nga Agjencia e Punësimit thonë se vitin e kaluar janë shpallur thirrje për qindra vende pune në këtë sektor, por ka pasur mungesë të kandidatëve që plotësojnë kushtet e kërkuara.