80 vjetori i nisjes së Luftës së Dytë Botërore, Gjermania i kërkon falje Polonisë

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier i ka kërkuar falje Polonisë, për konfliktin më të përgjakshëm të historisë, gjatë një ceremonie në qytetin, ku bombat e para ishin hedhur gjatë Luftës së Dytë Botërore, 80 vjet më parë.

Bota

01/09/2019 16:42

“Përkulem para viktimave të sulmit. Përkulem para viktimave polake të tiranisë gjermane dhe kërkoj falje nga ju”, tha Steinmeier, teksa ju adresua të pranishmëve në gjuhën gjermane dhe atë polake.

Steinmeier foli përkrah homologut të tij polak, Andrezej Duda, i cili denoncoi sulmin e Gjermanisë naziste kundër Polonisë, të cilën e cilësoi si “akt barbar”.

“Ne nuk mund të harrojmë Luftën e Dytë Botërore dhe kur dëshmitarët e asaj ngjarje nuk janë më. Duhet të sigurohemi që ajo që ndodhi në Wielun dhe më vonë edhe në shumë vende të tjera të Polonisë dhe jashtë saj, që të mos përsëriten kurrë”, tha Duda, raporton Top Channel.

Rreth gjashtë milionë polakë, përfshirë tre milionë polakë hebrenj, vdiqën gjatë konfliktit që mori jetën e mbi 50 milionë njerëzve.

Steinmeier dhe krerë të tjerë shtetërorë po marrin pjesë në cerenomonitë që po mbahen në Poloni, për të shënuar 80-vjetorin e nisjes së Luftës së Dytë Botërore.

Zëvendës presidenti amerikan, Mike Pence, Steinmeier dhe Duda, po ashtu do të mbajnë fjalime në ceremoninë qendrore që do të mbahet në Varshavë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump anuloi pjesëmarrjen e tij në këto ceremoni, për shkak se tha se duhet të merret me përgatitjet, pasi Uragani i fuqishëm Dorian, pritet t’i afrohet Floridës.

Pushtimi i Polonisë nga Gjermania naziste më 1 shtator, 1939, shënoi fillimin e Luftës së Dytë Botërore.

YouTube player