520 milionë dollarë kundër trafikimit të qenieve njerëzore

Tragjedia e trafikimit të qenieve njerëzore ishte në qendër të vëmendjes gjatë kësaj jave në Kongresin amerikan, ku nëpërmjet një votimi dypartiak u miratua në Dhomën e Përfaqësuesve një fond prej 520 milionë dollarësh për të luftuar fenomenin dhe për të ndihmuar të mbijetuarit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Kongres, Katherine Gypson, bisedoi me ligjvënësit që udhëheqin luftën ndaj këtij kërcënimi global.

Bota

15/07/2017 16:44

Kongresi amerikan diskutoi rreth dëmit të shkaktuar në mbarë botën nga fenomeni i skllavërisë moderne.

“Shkatërron tregjet e punës dhe njerëzit. Gërryen komunitetet dhe prish stabilitetin dhe shtetin ligjor. Ushqehet prej korrupsionit, lakmisë dhe dhunës”, u shpreh Senatori demokrat Benjamin Cardin.

Trafikimi i qenieve njerëzore është një industri prej 150 miliardë dollarësh dhe mbi gjysma e 20 milionë personave të trafikuar janë gra dhe vajza.

Vetëm disa javë pasi administrata Trump shtoi Kinën në listën e shkelësve më të mëdhenj, krahas Rusisë, Iranit dhe Sirisë, ligjvënësit akorduan fonde për këtë betejë që i kalon kufijtë shtetërorë. Këto fonde do të kenë një ndikim real në jetën e të mbijetuarve nga trafikimi.

“Duhet mbështetje, si kjo e miratuar nga Kongresi, që të mbijetuarit të kenë ushqim, trajtim mjekësor dhe përfaqësim ligjor. Të përjetosh trafikimin është njëlloj si skllavëria. Viktimat humbin çdo gjë”, thotë Andrea Powell, drejtore ekzekutive e organizatës “Fair Girls”.

Zonja Powell, e cila ndihmon të mbijetuarit në mbarë botën, thotë se ky fenomen gjendet kudo.

“Të gjithë e shohim pa kuptuar, në mënyrë pasive këtë fenomen”, thotë ajo.

Realiteti i hidhur e bëri më të pranishëm problemin për ligjvënësit.

“Shumica mendojnë se problemi ekziston larg shtëpisë së tyre, në ndonjë vend tjetër, në ndonjë qytet të madh, por realisht e gjejmë kudo”, thotë Ligjvënësja republikane Kristi Noem.

Një ndër ligjvënësit që kanë trajtuar herët problemin në Kongres, Chris Smith, thotë se legjislacioni i miratuar ka një përqasje të re.

“Fitimet që u konfiskohen trafikantëve kur arrestohen, mund të përdoren si fonde për viktimat”, thotë Ligjvënësi republikan Chris Smith.

Ligji i ri paralajmëron të gjitha vendet e botës.

“Nëse do të jetë i përfshirë një vend, atij nuk do t’i jepet asistencë ushtarake derisa të luftojnë trafikimin e qenieve njerëzore”, shpjegon Ligjvënësja demokrate Sheila Jackson.

Zonja Lee përfaqëson Houston-in, një ndër epiqendrat e trafikimit të qenieve njerëzore në Shtetet e Bashkuara.

“Houston-i është një metropol i mbingarkuar, me shumë hapësira, ku mund të ketë biznese false që realisht përdoren për trafikim njerëzish. Viktimat e tyre janë të frikësuara dhe nuk flasin anglisht. Trafikimi është një plagë për të gjithë ne”, thotë Ligjvënësja Lee.

Është edhe një kujtesë se beteja duhet të vazhdojë./VOA