30 vite i diskriminuar

Faik Berisha është 65 vjeçar. Berisha ka rreth 30 vite që është përdorues i karrocës. Për të vështirësitë e lëvizjes fillojnë qysh nga dalja e banesës së tij, e cila gjendet në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë.

Lajme

18/10/2019 21:00

Bashkëshortes së Berishës i duhet çdo ditë që ta zbres atë nga banesa për të dalë në ambient të hapur, e poashtu ta kthejë atë në banesë.

Për Berishën vështirësi shumë e madhe janë trotuaret e kryeqytetit.

Ai nuk mund të shkojë as në Shtëpinë e Shëndetit në qendër të Prishtinës, që të marrë shërbime shëndetësore. Në këtë hapësirë edhe pse janë krijuar pjerrinat që përdorusit e karrocave mund të lëvizin, për të është e pamundur hyrja brenda këtij objekti shëndetësor.

Por, diskriminimi ndaj tij nuk mbaron vetëm këtu. Faik Berishës i mohohet e drejta për të hyrë edhe në qendrën e Pensioneve në Prishtinë, pasi që aty fare nuk ka pjerrinë.

Ndërsa Qendra e Regjistrimit Civil, edhe pse ka krijuar një pjerrinë të tillë, hyrja përmes saj është e pamundur. Ajo është jashtë standardeve lëvizëse, edhe pse është e dedikuar për përdoruesit e karrocave. Ndërsa, edhe më të vështirë lëvizjen në këtë pjesë e bëjnë automjetet zyrtare që parkohen në këtë pjesë./RTK