25 vite burgim për dhunimin dhe vrasjen e 11-vjeçarit Kujtim Veseli

Gjykata Themelore në Prishtinë  ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit S.O. për veprat penale vrasje e rëndë dhe dhunim.

Lajme

12/10/2020 11:19

Këtë e ka bërë të ditur kjo gjykatë përmes një komunikate për media.

Sipas komunikatës, i akuzuari S.O është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim unik në kohëzgjatje prej 25  vite për veprat penale vrasje e rëndë dhe dhunim, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar nën masën e paraburgimit nga data 16.07.2019, shkruan lajmi.net.

“I akuzuari S.O me datë 11.07.2019 në Fushë Kosovë kishte detyruar të miturin K.V të kryente akt seksual dhe pastaj kishte përdorur dhunë ndaj tij, duke e goditur me mjet të fortë, ku si pasojë e këtyre goditjeve kishte ardhur deri te vdekja e dhunshme e tij”, thuhet në njoftim.

Sipas komunikatës, pala ka të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Kujtimi Veseli që i përkiste komunitetit ashkali, u gjet i vdekur më 11 korrik, 2019, poshtë shkallëve të një objekti banimi në lagjen “Xhemajl Mustafa”, në Fushë Kosovë.

S.O akuzohet se ka dhunuar vazhdimisht Kujtimin edhe para datës 11 korrik kur u gjet i vrarë.

Sipas shkresave të rastit, S.O, akuzohet se ka dhunuar seksualisht Kujtimin edhe më 29 janar, 2019, për çka ishte denoncuar në polici nga babai i tij dhe nëna e viktimës.

S.O ishte intervistuar vetëm pas 65 ditësh nga rasti i dhunimit, pra më 4 prill, 2019.

Në këtë intervistë, S.O, pranoi se ka kryer marrëdhënie seksuale me viktimën.

Tek pas 65 ditësh, Policia e Kosovës, kërkoi nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, ekzaminim mjekoligjor të Kujtimit, por kjo e fundit, tha se s’kishte nevojë.

Edhe pse rasti u paraqit në polici më 29 janar, 2019, ky institucion parashtroi kallëzim penal në Prokurori Themelore të Prishtinës, vetëm më 12 prill 2019. /Lajmi.net/