24-vjeçari dënohet me 6 muaj burgim për propagandë të ISIS-it

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar 24 vjeçarin, Berat Qamili, me gjashtë muaj burgim për shpërndarje të materialeve që përkrahin grupin militant, Shteti Islamik (IS), në rrjetet sociale.

Lajme

30/08/2019 15:21

“Sot është bërë shpallja e aktgjykimit dhe Gjykata e shpalli të fajshëm klientin tim duke e dënuar me gjashtë muaj burg efektiv,” ka thënë, avokati Gazmend Ismajli për Radion Evropa e Lirë.

Aktakuza ndaj Qamilit nga rrethi i Mitrovicës është ngritur në janar të vitit 2018 nën dyshimin se ka kryer veprën penale “bashkim ose pjesëmarrje në ushtrinë apo policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake apo parapolicore, në organizimet grupore ose individualisht jashtë territorit të Republikë së Kosovës.”

Avokati Ismaili ka thënë se klienti i tij e kishte pranuar fajësinë dhe me këtë rast Gjykata ka marrë për bazë rrethanat lehtësuese.

Qamili ishte arrestuar në 2017 dhe më pas i ishte caktuar masa e arrestit shtëpiak prej tre muajve.