168 vende të reja pune në arsim dhe në shëndetësi

Paralajmërimi i kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, se në vitin 2017 do të punësohen 300 të rinj mitrovicas do të jetësohet këtë muaj pasi Komuna Veriore ka shpallur konkurs për 168 punëtorë në arsim dhe në shëndetësi. Asamblistët shqiptarë kërkojnë që me rastin e punësimit të respektohet diversiteti etnik, 25 deri në 30 për qind shqiptarë

Lajme

19/05/2017 09:01

Paralajmërimi i kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, se në vitin 2017 do t’i punësojë 300 të rinj mitrovicas do të jetësohet këtë muaj pasi që Komuna Veriore ka shpallur konkurs 168 punëtorë të rinj në arsim dhe në shëndetësi. Sipas një njoftimi të Komunës së Mitrovicës Veriore, konkursi është hapur në bazë të paralajmërimeve të mëhershme të kryetarit Rakiq. Këtë e ka konfirmuar edhe shefja e Zyrës Administrative të Kosovës në veri, Adriana Hoxhiq, duke folur për mediet lokale serbe në veri.

Sipas saj, në shëndetësinë e komunës së Mitrovicës do të gjejnë vend pune 21 mjekë të shëndetit primar, 10 teknikë medicinalë – laboratorë, 50 infermiere, respektivisht teknikë medicinalë. Gjithashtu konkursi është shpallur edhe për 21 punëtorë administrativë në shëndetësi, ndërkaq në arsim do të punësohen 6 pedagogë, sociologë dhe psikologë, si dhe 37 mësimdhënës. Konkursi është shpallur edhe për 23 punëtorë administrativë në shkolla. Sipas një njoftimi të Komunës së Mitrovicës Veriore, edhe 132 vende të reja të punës do të hapen deri në fund të këtij viti për të rrumbullakuar numrin prej 300 vendeve të reja të punës në vitin 2017, të cilat i ka paralajmëruar kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq në fillim të këtij viti./Zëri/