12-vjeçarët, konsumuesit më të mëdhenj të shishas në Kosovë

Në Kosovë, organizatat joqeveritare që merren me trajtimin e përdoruesve të substancave narkotike, vlerësojnë se vitin e fundit vërehet një ngritje e lehtë e të rinjve që konsumojnë këto substanca.

Lajme

14/02/2016 16:51

Ata thonë se mosha mesatare e atyre që fillojnë për herë të parë të abuzojnë me narkotikë, është kryesisht e re, rreth 16 vjeç, si në zonat urbane po ashtu edhe në ato rurale.

Por, mosha 11-vjeçare ka filluar të konsumojë shisha.

Shisha është një term që përdoret gjithkund në botë, duke iu referuar tymosjes së aromave të ndryshme pa nikotinë apo edhe me të. Kjo dukuri është bërë trend te fëmijët, të cilët në ahengje të ndryshme e konsumojnë atë.

Njëri nga ta është Rroni, 11-vjeçar, i cili për Radion Evropa e Lirë tregon për moshatarët e tij se si është bërë hit thithja e shishas.

“Unë jam 11-vjeçar dhe jam në klasën e gjashtë. Disa moshatarë të mi bëjnë party (ahengje), disa jo. Disa e organizojnë nëpër shtëpi, disa në lokale. Dhe pastaj pinë shisha. Nuk e di a janë me leje të prindërve a jo. Unë njoh fëmijë që me 11 vjet pinë shisha, por edhe më të mëdhenj. Unë mendoj se duhet me qenë 18-vjeçar për me pi shisha”.

“Shisha ka me shije të ndryshme. Janë disa vende të caktuara që i blejnë dhe pastaj disa vende ku pihet. Zakonisht kur po mblidhemi me shoqëri, po shkojmë në disa vende të caktuara ku pihet shisha. Edhe cigare pinë, por më rrallë, nuk ka shumë. Në klasën time nuk pinë cigare”, rrëfen Rroni, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Ndryshe, në Prishtinë janë disa dyqane që ofrojnë blerjen e shishas dhe produkte që duhen për të.

Miradie Morina, shitëse, thotë se ndonëse nuk u lejohet shitja e atyre produkteve nën 18 vjet, mosha që më së shumti kërkon shisha dhe aroma për to, janë të rinjtë prej 12 vjeç e përpjetë.

“Moshat që kërkojnë, janë prej 12 vjeç. Kërkojnë të blejnë cigare puro me shije, shije për shisha. Nuk shkruan se për cilën moshë mund të përdoret. Por, edhe kur vijnë fëmijët e moshës 12 vjeç, thonë që i blejnë për dikë tjetër, si për vëllanë më të madh apo motrën. Por, ne ua shesim, pasi që nuk shkruan se prej cilës moshë mund të shitet”, thotë Miradija.

Por, sa janë të dëmshme dhe sa prej këtyre aromave që i thithin në formë tymi fëmijët, mund të kalojnë në diçka tjetër, si të ndezin duhan apo marihuanë brenda saj, na flet Safet Blakaj, drejtues i Qendrës Mediko-Psikoterapeutike “Labirint”, në Prishtinë.

“Fenomeni i përdorimit të shishave është një fenomen që kohëve të fundit po vërehet që ka një rritje. Shqetësuese është për faktin se fëmijët po e përdorin. Kjo po paraqet atraksion për ta. Sigurisht që kjo paraqet problem, sepse nëse provojnë brenda saj, përpos shijeve që ofron ajo edhe duhan, apo cigare mente, atëherë është e dëmshme”.

“Ne nuk e dimë saktë dhe jemi në përcjellje të këtij fenomeni, nëse përmes shishes po përdoret edhe marihuanë. Ne nuk kemi mundur të sigurohemi nëse marihuana po përdoret në këto shisha”, thotë Blakaj. /Radio Evropa e Lirë