12 komuna në Kosovë do të bëhen me Kryetar të ri pas zgjedhjeve lokale, disa të tjerë rikonfirmuan besimin

Partia Demokratike e Kosovës ka dalë fituese e zgjedhjeve lokale në Kosovë duke marrë kështu 9 komuna në qeverisje.

Lajme

15/11/2021 11:40

Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 7 komuna, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 5 dhe Lëvizja Vetëvendosje 4 sosh, shkruan lajmi.net.

Këto zgjedhje kanë prodhuar ndryshim në udhëheqjen e 12 komunave shqiptare në Kosovë.

Komunat ku është ndryshuar Kryetari:

Në Mitrovicën e Jugut, Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës ka fituar pa balotazh garën ndaj ish-kryetarit të Mitrovicës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri me 53,69 përqind.

Një komunë tjetër që do të ketë ndryshim të udhëheqjes është ajo e Skenderajt. Atje Fadil Nura i PDK-së ka fituar në raundin e parë të zgjedhjeve me 57,89 përqind.

PDK i dha kryetar të ri edhe Hanit të Elezit. Atje, pa balotazh e mbylli garën kandidati i PDK-së, Mehmet Ballazhi duke e larguar kështu nga posti i kryetarit Rufki Sumën.

Gjilani është një komunë tjetër ku do të ketë ndryshim të kryetarit. Alban Hyseni i Lëvizjes Vetëvendosje ka arritur ta mposhtë kryetarin e deritanishëm, Lutfi Hazirin e LDK-së në garën e balotazhit me 51,03 përqind.

Në Istog, nuk do të ketë ndryshim të subjektit politik në qeverisje, por ndryshim të kryetarit po. Në komunën që në mandatin e kaluar u qeveris nga Haki Rugova i LDK-së, ka fituar sërish kandidati nga ky subjekt politik, Ilir Ferati i cili do të marrë mandat 4 vjeçar në këtë komunë, shkruan lajmi.net.

Qendron Kastrati nuk do të jetë më tutje kryetar i Kamenicës. Kadri Rahimaj i LVV-së ka fituar në këtë komunë me 53,11 përqind të votave në garën e balotazhit.

PDK ka arritur të ndryshojë qeverisjen edhe në qytetin e Prizrenit. Shaqir Totaj i PDK-së e mposhti me 51,01 përqind kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetarin e deritanishëm të Prizrenit, Mytaher Haskukën.

E partia fituese e zgjedhjeve lokale, PDK ia ndryshoi qeverisjen edhe Vushtrrisë. Me Ferit Idrizin, PDK e mposhti LDK-në në balotazhin për të parin e Vushtrrisë, duke mposhtur kështu kryetarin e deritanishëm Xhafer Tahirin.

Ndryshim të kryetarit, por jo të subjektit politik do të ketë edhe në Malishevë. Atje, Ekrem Kastrati fitoi në garën e balotazhit dhe detyrën e kryetarit të Malishevës do ta marrë nga Ragip Begaj po ashtu nga ky subjekt politik.

Shtimja do të bëhet me kryetar të ri. Qemajl Aliu i VV-së ka marrë 50,71 përqind të votave dhe ka mposhtur kundërkandidatin e tij nga PDK-ja, Naim Ismajli i cili ka marrë 49,29 përqind të votave.

Juniku më nuk do të qeveriset nga AAK-ja sipas rezultateve preliminare. Ruzhdi Shehu i LDK-së ka marrë 50,61 përqind kundër kandidatit të AAK-së dhe kryetarit aktual Agon Kuçit që ka marrë 49,39 përqind.

Ndryshimi i madh ka ndodhur në Komunën e Prishtinës ku Përparim Rama i LDK-së ka mposhtur kundërkandidatin e VV-së, Arben Vitinë. Komunën e udhëhequr nga Shpend Ahmeti tani do të drejtohet nga Përparim Rama.

Komunat ku nuk është ndryshuar kryetari:

Bashkim Ramosaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë besimin e qytetarëve edhe për një mandat në krye të komunës së Deçanit me 64,90 përqind të votave.

Edhe Imri Ahmeti i LDK-së do të mbajë edhe për 4 vitë postin e kryetarit të Lipjanit pasi fitoi në zgjedhje me 56,42 përqind.

Në Suharekë, Bali Muharremaj i AAK-së ka marrë 14.483, ose 51.30 për qind, duke e fituar këtë komunë dhe duke vazhduar të jetë kryetar.

Në Komunën e Gjakovës, fitues ka dalur Ardian Gjini i AAK-së me 56.06 për qind, ndërsa Mimoza Kusari-Lila nga Lëvizja Vetëvendosje ka fituar vetëm 43.94 për qind të votave. Gjini do të vazhdojë të mbajë postin e kryetarit të Komunës edhe për 4 vite.

Ramiz Lladrovci nga PDK-ja ka fituar edhe një mandate 4-vjeçar në Komunën e Drenasit, ku ka fituar 54.14 për qind të votave, ndërsa Driton Ajazi nga Demokratët për Drenasin ka fituar 45.86 për qind të votave, shkruan lajmi.net.

PDK-ja ka fituar edhe në Dragash, ku kandidati i saj Shaban Shabani ka marrë 50.21 për qind të votave, ndërsa Bexhet Xheladini ka marrë 49.79 për qind të votave. Shabani do të vazhdojë të jetë kryetar i Dragashit.

Besim Ilazi i PDK-së ka arritur të ruajë besimin  në Komunën e Kaçanikut, ku ka marrë 53.20 për qind të votave, ndërsa Jeton Raka i LVV-së ka marrë 46.80 për qind të votave. Kështu, Ilazi do të jetë kryetar edhe për një mandat.

Komunën e Klinës e ka fituar Zenun Elezaj i AAK-së, i cili ka marrë 55.11 për qind të votave, ndërsa Esat Raci i PDK-së ka marrë 44.89 për qind të votave totale. Elezaj vazhdon të jetë kryetar në këtë komunë.

Ndryshim nuk do të ketë as në Fushë Kosovë.  Burim Berisha i LDK-së ka fituar edhe një mandat si kryetar, ku ka marrë 66.04 për qind të votave, ndërsa Enver Bajçinca i LVV-së ka marrë 33.96 për qind të votave.

Obiliqi ka vendosur t’ia besojë edhe 4 vite Xhafer Gashit. Ai ka arritur të marrë 61.41 për qind të votave, duke fituar kështu edhe një mandat në krye të Obiliqit. Kandidati i LVV-së për kryetar të kësaj komune, Halil Thaçi, ka arritur të marrë 38.59 për qind të votave në zgjedhjet e djeshme.

Në Komunën e Rahovecit, Smajl Latifi nga AAK-ja ka arritur të marrë 65.32 për qind, ndërsa Visar Korenica i LVV-së ka marrë vetëm 34.68 për qind të votave totale. Kështu Latifi vazhdon edhe për një mandat tjetër në krye të komunës.

Pas disa muajve në krye të komunës, Shpejtim Bulliqi i LVV-së ka arritur të sigurojë 51,84 përqind të votave duke mposhtur kështu kundërkandidatin e tij nga LDK-ja Ekrem Hysenin me 48,16 përqind të votave.

Vitinë e ka fituar Sokol Haliti i LDK-së. Ai me 51,48 përqind të votave të fituara do të qëndrojë edhe për një mandat në krye të komunës.

Besim edhe për 4 vite të tjera ka marrë edhe Agim Aliu i PDK-së në Ferizaj. Ai ka fituar pa balotazh në këtë komunë duke rikonfirmuar besimin e ferizajasve.

Kujtojmë se nga 21 komunat të cilat kanë shkuar në balotazh, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar në nëntë prej tyre, Lidhja Demokratike e Kosovës në shtatë komuna, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në pesë komuna, ndërsa Vetëvendosje ka fituar në katër komuna. Pjesa tjetër e komunave është fituar nga subjektet tjera politike. /Lajmi.net/