​11 milionë euro në vit shpenzimet e efekteve anësore të ndotësve të ajrit

Kostoja e efekteve anësore të ndotësve të ajrit nga termocentralet e thëngjillit në Kosovë arrin shifrën deri në 11 milionë euro në vit. Kështu thuhet në raportin e Institutit për Politika Sociale “Musine Kokolari”, me titullin “A është thëngjilli zgjidhja më e lirë?”. Në raportin, i cili u publikua gjatë së hënës thuhet se kostoja shëndetësore nuk është e dukshme në faturën e energjisë elektrike të qytetarëve të Kosovës.

Lajme

30/05/2022 12:38

Drejtori ekzekutiv i Musine Kokolari, Visar Ymeri tha se prodhimi dhe konsumi i energjisë elektrike ka kosto shëndetësore.

“Ideja e raportit është më shumë që të hapet një diskutim se sa të mbyllet të gjeturat sa i përket kësaj çështje. Duke pasur parasysh kompleksitetin dhe ndikimin që prodhimi i energjisë elektrike me thëngjill ka në shumë aspekte, prej atyre mjedisore në ato shëndetësore në Republikën e Kosovës dhe qytetarët e Republikës së Kosovës në përgjithësi. Ky raport i ka dy pjesë, pjesa më thelbësore dhe përmbajtjesore është bërë nga autorët e raportit bashkë me Universitetin Aurhus në Danimarkë…  Një prej aspekteve që nuk merret parasysh në Republikën e Kosovës është shpenzimi që shkakton prodhimi i energjisë me thëngjill në terma shëndetësor dhe dëmtimit të mjedisit, e cila nuk llogaritet në çmimin përfundimtar”, ka theksuar Ymeri.

Ky raport është analizuar edhe nga ekspertë në Institutin e Universitetit Aarhus në Danimarkë. Profesori Mikael Skou Andersen, tha se situata e krijuar për shkak të ndotjes së ajrit në Kosovës është shqetësuese.

“Në disa pjesë të Evropës, tejkalimet janë në nivel të lartë, më shumë se 25 mikrogram thëngjill. Po ashtu në pjesë të mëdha të Evropës ka tejkalime të asaj se çka është sipas rekomandimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë që cilësia e ajrit nuk duhet të tejkalojë shumë mikrogramët, për të shmangur rreziqet e shëndetit. Shumica e Evropës i tejkalon këto limite. Në fakt më shumë se 90 për qind e gjendjes raportuese të shteteve në Evropë i tejkalojnë udhëzuesit e OBSh-së për pesë mikrogram, por janë dy për qind të shteteve raportuese i tejkalojnë 25 mikrogram”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, limitetet e udhëzimeve të OBSH-së sa i përket cilësisë së ajrit, i tejkalon edhe Kosova.

“Impiantet me thëngjill kontribuojnë në ndotjen e ajrit, tetë mikrogram për metër kub në zonën e Prishtinës. Po ashtu, këto përgjigje qysh nga kur kemi gjetur këtë dhe e kemi vendosur gjendjen e Kosovës, kemi gjetur që për mikrogram janë 83 për 100 mijë banorë. Është një numër i banorëve që keni në Prishtinë për më shumë se 30 vjet. Pra, kemi dalë te një rezultat ku 7,9 mikrogram dhe ka humbje jete. Duke i shumëzuar këto shifra rreth 650 vjet për secilin vit kalendarik… Kemi dalë deri te tetë milionë euro shpenzime të jashtme në vit në qytetin e Prishtinës. Por, po ashtu kushton edhe për pjesën tjetër të Kosovës. Bazuar në baza vjetore, të gjitha së bashku shpenzimet vjetore janë 11 milionë euro për vit”, ka shtuar ai.

Veç tjerash, raporti thekson se kostoja e efekteve anësore duhet të përfshihet në të gjitha projeksionet dhe strategjitë për energjinë, gjë që mundëson një politikë energjetike më të informuar për sektorin në vend.

Autorja e këtij raporti, Marigona Drevinja shtoi se në Kosovë mungojnë matjet e emetimit.

“Një nga rekomandimet tona në punim është që duhet patjetër që të bëhet matje shumë më të madhe rreth ndotjes. Kemi vetëm disa stacione që bëjnë matjen, mungojnë matjet e emetimit, te impiantet, kemi matje vetëm të prezencës… Studime të tilla patjetër që duhet të bëhen prapë, duhet të jenë më të zgjeruara dhe për këtë nevojiten natyrisht më shumë fonde dhe ekspertë të jashtëm, sepse të tilla studime nuk kemi kapacitet të bëjmë ne si shtet”, ka shtuar ajo.

E drejtori i KFOS-it, Luan Shllaku tha se shfrytëzimi i qymyrit për prodhim të energjisë elektrike është problem për gjithë Kosovën. Sipas tij, thëngjilli nuk është zgjidhja më e lirë, por tashmë është trashëguar slogani se vendi duhet të bëhet fuqi energjetike në rajon.