100 ditë kryeministër – Kurti asnjë vizitë të vetme në Veri

Gati tre muaj po bëhen nga deklarata e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që fliste për një vizitë të tij në veri të Kosovës, e cila do të realizohej në të ardhmen. Kurti ka vizituar shumë komunat e Kosovës muajt e fundit, por as edhe një qytet të vetëm të veriut të vendit.

Lajme

16/05/2020 18:43

100 ditë mbushi të mërkurën qeveria në detyrë e Albin Kurtit. Gjatë kësaj periudhe, Kurti nuk ishte aq me fat në detyrën e tij si kryeministër, pasiqë i ra të përballej me pandeminë dhe pasojat e saj në Kosovë, shkruan lajmi.net.

Sidoqoftë, gjatë kësaj periudhe 100-ditore si kryeministër, Kurti nuk e vizitoi asnjëherë të vetme veriun e vendit, ani pse atje pati jo pak zhvillime, duke pasë parasysh ndërhyrjen e Serbisë në masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, dhe kritikat e akuzat e shumta që mori Kurti në lidhje me këtë.

Më 26 shkurt të këtij viti, ende pa u bërë një muaj që nga formimi i qeverisë, Kurti paralajmëronte një vizitë në veri. Për këtë ccështje, ai foli në një konferencë për media të cilën e kishte thirrur vet, e që temë ishte pretendimi i tij për një marrëveshje të fshehtë mes presidentit Thaçi dhe KFOR-it, dhe ku pa lejen e kësaj të fundit, siç thoshte Kurti, FSK-ja nuk mund të shkonte dhe operonte në veri. Sipas Kurtit, kjo paraqiste shkelje të rëndë të Kushtetutës nga presidenti.

Lexo edhe:

Kurti: Do të shkojë në veri të vendit, por jo me FSK-në

Gjatë periudhës së shfaqjes së pandemisë së koronavirusit dhe përballjes me të, Kurti vizitoi shumë komuna në Kosovë, të cilat po përballeshin me raste masive të infeksioneve.

Malisheva, Gjilani e Ferizaj janë disa nga komunat që u vizituan nga Kurti e të cilat ishin në përballjet më të ashpra me virusin COVID-19. Kryeministri vizitoi edhe komuna tjera, por asnjëherë veriun, që është një ndër pjesët më të prekura nga infeksionet, për shkak të lidhjeve të mëdha me Serbinë, e cila po ashtu ka shumë raste të konfirmuara.

Për asamblisten nga veriu i Mitrovicës, Gonxhe Çaushi, Kurti nuk e mbajti premtimin e tij për vizitën në veri, duke e lënë kështu krejtësisht anash atë pjesë.

“Ju kujtohet që Kryeministri në detyrë Kurti me të marrë detyrën filloi t’i vizitojë disa nga komunat e Kosovës duke premtuar që do i vizitojë edhe komunat e veriut. Perveq që bëri skandale të shumta duke ia dorëzuar vendimmarrjen për menaxhimin e Covid-19 Vuciqit dhe strukturave paralele në caktimin e karantinimit të këtyre komunave, por edhe orën policore që dallonte nga të gjitha komunat tjera te Kosoves”, thotë Çaushi për lajmi.net.

Sipas saj, Kurti me pranimin e testeve për koronavirus nga Serbia, nuk mori parasysh aspak plagët e kosovarëve të cilët kanë familjarë të zhdukur apo të vrarë në luftën e fundit në Kosovë.

“Pastaj kemi futjen e qindra mjekëve pa asnje filtrim shtetëror, pranimin e testeve nga Serbia duke e bërë si shtet humanitar në mediat ndërkombetare Serbinë.  Pra, duke mos ditur se ato teste a kanë ndonjë afat skadimi apo ndonjë kontroll të detajuar fundja kanë qenë donacion nga një shtet që ka bërë krimet më të rënda të qytetaret tanë, që sot e asaj dite shumë familje ende i kanë të freskëta plagët e tyre në momentin që ende nuk dijnë asgj për fatin e më të dashurve të tyre”, thotë ajo.

Çaushi në këtë kontekst përmend edhe një element, arsye që sipas saj Kurti nuk i vizitoi komunat e veriut, e ajo është përkatësia politike e asamblistëve shqiptarë atje.

“Ai pa fije turpi as nuk i vizitoi këto komuna për tu njohur më afër për problemet dhe sfidat që kanë këta banorë, në  kohen kur kishin më së shumti nevojë për Qeverinë e Kosovës. Keni thënë që keni pas mbledhje me kryetarët e komunave Veriore e padyshim që ata kryetarë të gjithë janë serbë por ne që jemi si asambleistë në ato komuna e që përfaqesojmë komunitetin më të madh shqiptar te Kuvendet Komunale me shumicë serbe.  A nuk ju interesoi ana tjetër e medales se çfarë mendojmë ne dhe sfidat që i kemi si komuniteti më i madh ne atë pjesë pavarësisht që i takonim partisë tjeter ?  Fundja ne perfaqësojmë zërin e komunitetit me të madh në atë pjesë shqiptare. Apo sigurisht harrova qe kemi qenë në kohë pandemie dhe jo ne fushatë zgjedhore ndoshta për atë nuk keni gjetë kohë me qëndru afër qytetareve më të diskriminuar të asaj pjesë”, thotë  në fund Çaushi.

Kurti edhe zyrtarisht mori detyrën e kryeministrit më 3 shkurt të këtij viti.

Para tre ditësh, qeveria e tij numëroi 100 ditë, ku edhe u mbajt një mbledhje për të shpalosur të arriturat dhe sfidat gjatë kësaj periudhe.

Ndërkohë, më 25 mars qeveria Kurti u rrëzua me një mocion mosbesimit të inicuar nga ish-partneri qeverisës i tij,  LDK-ja, mocion ky që mori 82 vota pro në Kuvendin e Kosovës. /Lajmi.net/