Ta pastrojmë të gjithë Kosovën (Foto)

Në të gjitha qytet e Kosovës sot është organizuar aktiviteti i pastrimit të vendbanimeve, në kuadër të aktivitetit “Ta Pastrojmë Kosovën”.

Lajme

22/05/2015 16:36

Këtij aktiviteti i janë përgjigjur një numër i madh i qytetarëve. Komuna e Prishtinës dhe OJQ “Green Art Center Prishtina” (GAC), sot kanë realizuar aksionin e pastrimit në lagje të ndryshme të kryeqytetit dhe në liqenin e Badocit.

Të pranishëm në këtë aksion nga kabineti i kryetari Shpend Ahmeti ishin drejtorët Xhelal Sveçla dhe Liburn Aliu.

“Momentalisht në Komunën e Prishtinës janë tetë lokacione që janë duke u pastruar në mënyrë të organizuar. Aksion i ngjashëm do të organizohet edhe gjatë ditëve në vijim, ashtu siç është edhe zotim i administratës së Komunës së Prishtinës, do të pastrohet i tërë qyteti”.

“Njëkohësisht, jemi duke e ndërtuar sistem që të parandalojmë ndotjet e mëtutjeshme, si p.sh çdo lokacion që pastrohet ai revitalizohet duke u shndërruar në park, kënd i lojërave apo ndonjë destinacion tjetër që është në interes publik. Njëkohësisht, jemi i ndjekur të gjithë keqbërësit ndaj të cilëve shqiptohen dënime sipas ligjeve në fuqi”, tha me këtë rast drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit, Xhelal Sveçla.

Ftesës për ta pastruar kryeqytetin i janë përgjigjur pozitivisht një numër i madh i banorëve të Komunës së Prishtinës. Gjithashtu, këtyre aktiviteteve u janë bashkëngjitur qindra vullnetarë nga institucione, OJQ dhe kompani të ndryshme.

Sot janë zhvilluar aksione të organizuara të pastrimit në lagjen “Arbëria 3” (afër hekurudhës, në rrugën 1 Tetori (dëshmorët e Marecit), në Qendrën e Panaireve në Shkabaj, në Lagjen “Kalabria” (ish lagjja Emshir), në rrugën “B”,( te stacioni 4, në lagjen “Bregu i Diellit”), liqeni i Badovcit, si dhe është pastruar hapësira afër “Termokosit”.

Aksioni ta “Ta Pastrojmë Kosovën”, është organizuar edhe në qytete tjera të Kosovs. Në Gjakovë, këtij aksioni i është bashkangjitur edhe kryetarja Mimoza Kusari –Lila. Ajo tha se rrugët, trotuaret por edhe deponitë ilegale të mbeturinave janë hapësira të komunës dhe ajo bëri thirrje që të mbahen të pastra.

“Këtë ditë ne përveç se bëjmë pastrimin në pjesë të qytetit janë edhe në pjesë specifike siç është te liqeni i Radoniqit dhe Kodra e Çabratit. Por, gjithashtu do të vazhdojmë edhe në ditët në vijim. Gjatë kësaj periudhe kohore ne kemi arritur që të bëjmë edhe organizime të cilat janë prezantuar edhe publikisht me shkollat fillore. Në ditët e caktuara kur ka pasur festë edhe në Kodrën e Çabratit, e më pastaj ka vazhduar pastrimi me nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme. Do të vazhdojmë edhe më tutje deri në pikën kur secili e ndjen që mjedisi është përgjegjësi e jona e jo vetëm përgjegjësi e një institucioni që diku duhet të kujdeset për pastrimin e mjedisit”, tha kryetarja Kusari – Lila.

Kurse, Eranda Kumnova – Baqi, koordinatore komunale e iniciativës “Ta pastrojmë Kosovën” tha para mediave se çdo vit po rritjet pjesëmarrja.

“Këtë vit edhe po e shohim që po na bashkëngjiten shumë vullnetarë dhe po shpresojmë në një numër edhe më të madh të vullnetarëve”, tha Kumnova – Baqi.

ta pastrojm kosoven 22 05 _3

Ta Pastrojmë Kosovën 3