Ta lëmë mënjanë të vërtetën e zbuluar

M'u desh t’i fërkoj sytë ë Konferencën e Sigurisë në Munih, ku pamja më e jashtëzakonshme ishte ajo e Ivica Daçiqit, Kryeministrit serb, dhe Hashim Thaçit, Kryeministrit të Kosovës, të ulur së bashku në të njëjtën skenë, plot buzëqeshje...

Opinion

07/02/2014 18:19

Gazetari është si udhëtari i panjohur që lëviz në drejtim të kundërt me turmën, duke e lënë shumicën e rehatuar të habitur. Ata pyesin “pse po i kalon caqet? Pse ke zgjedhur këtë jetë të vetmuar?” Dhe ti i përgjigjesh “sepse dua të kuptoj”, por ata shkundin kryet. “Nuk ke çka të kuptosh”, ngulin këmbë ata, “thjesht shkruaj të vërtetën”.

Por, ka shumë të vërteta dhe këtu është problemi. Kujtesa është e rrejshme dhe dallon nga historia si emocionet dallojnë nga forma. Çdo luftë bëhet për kujtesë. Nacionalizmi i dhunshëm është kujtesë e rilindur dhe e manipuluar si të ishte e vërteta e zbuluar.

Konflikti ngjizet mes “të vërtetave” të kontestuara të lëna trashëgim nga e kaluara. Pyetjet s’kanë fund: Kush i shkeli i pari këto toka, kush i mbolli pemët mijëvjeçare të ullirit, kush vrau i pari, a ka pasur kisha para xhamive, dhe si i bëhet që sinagoga mund të ketë qenë e para?

Identitetet krijohen pjesë-pjesë. Çdo pikë gjaku e derdhur, çdo vrragë e lënë nga predhat mbi mure, shënohet në Librin e Hakmarrjes.  Në Ballkan dhe Lindjen e Mesme ngjarjet e një mijë vjetëve më parë duken të gjalla, si të kishin ndodhur dje. Synimet madhore të armikut të serbëve dhe kosovarëve, arabëve dhe hebrenjve, mund të kërkojnë që kujtesa, si fitil bombe, të marrë të tille formë që sjell efekt maksimal shpërthyes. Armëpushimi nuk mbahet dot më gjatë se një çadër e dobët nën stuhi.

Për herë të parë u gjenda ballë për ballë me fuqinë e mitit për të gjeneruar luftën në Ballkan, në Fushë Kosovë, ose “fushën e Mëllenjave”, ku serbët ishin shpartalluar nga turqit otomanë në vitin 1389. Prej atëherë, beteja u kthye në lapidarin e nacionalizmit serb, një humbje e shndërruar në një simbol të heroizmit dhe sakrificës vetëmohues serbe.

Këtu, një çerek shekulli më parë, teksa plasaritej rendi i Luftës së Ftohtë në Europë, lideri nacionalist serb, Sllobodan Millosheviq, deklaroi: “Prej gjashtë shekujsh heroizmi i Kosovës ka frymëzuar krijimtarinë tonë, ka ushqyer krenarinë tonë, dhe nuk na lejohet të harrojmë se dikur ne ishim një ushtri e madhe, trime dhe krenare, një nga të paktat që edhe në humbje qëndroi e pamposhtur. Gjashtë shekuj më vonë, sot, ne jemi përsëri në beteja dhe përballemi me beteja. Ata nuk janë të armatosur, edhe pse beteja të tilla ende nuk mund të përjashtohen.”

Pjesa tjetër është histori e njohur: një dekadë luftë; shpërbërja e Jugosllavisë; spastrimi etnik i viseve të gjera të Bosnjës, teksa myslimanët e saj (shpesh të quajtur “turq” nga serbët plaçkitës) përpunoheshin nëpër kampe përqendrimi serbe; më shumë se 100.000 të vdekur; Sarajeva dhe Srebrenica; ndërhyrja e NATO-s në Kosovë; dhe shfaqja e diskutueshme e disa shteteve të reja të pavarura të Europës, e fundit prej tyre Kosova në vitin 2008. Për Serbinë, adrenalina e furisë nacionaliste u kthye në pikëllimin e humbjes së dhimbshme të Kosovës, ku shumica dërrmuese janë shqiptarë, por peizazhi është i stërpikur me vende të shenjta të serbëve.

Pra, pas gjithë kësaj, m’u desh t’i fërkoj sytë ë Konferencën e Sigurisë në Munih, ku pamja më e jashtëzakonshme ishte ajo e Ivica Daçiqit, Kryeministrit serb, dhe Hashim Thaçit, Kryeministrit të Kosovës, të ulur së bashku në të njëjtën skenë, plot buzëqeshje, duke folur për mënyrën se si ata ishin pajtuar dhe se si, sipas vetë Thaçit, “e vetmja vështirësi më e madhe ishte të çlironim veten nga e kaluara.”

Izraelitë dhe palestinezë mbani shënim.

Midis dy liderëve të Ballkanit u ul Catherine Ashton, Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian dhe diplomatja më e pavlerësuar në botë. Emërimi i saj në vitin 2009 dhe krijimi i Shërbimit Europian të Veprimit të Jashtëm janë përqeshur shumë. Por, ndërmjetësimi i saj i suksesshëm i bisedimeve serbo-kosovare që filloi në vitin 2011 dhe kontributi i saj për të siguruar një marrëveshje të përkohshme bërthamore me Iranin, përbëjnë arritje të mëdha. Edhe një herë u tregua se Bashkimi Europian ushtron “faktor tërheqës” në Ballkan – një tërheqje magnetike e kombeve që kanë mall për stabilitet dhe liri. Serbia dhe Kosova duhej t’i zgjidhnin mosmarrëveshjet e tyre për të pasur shansin e pranimit, dhe ata kështu bënë. Bashkimi Europian, edhe pse e shajnë, është ende një makinë për arritjen e paqes.

Normalizimi nuk ishte i lehtë. Daçiqi është lindur në Kosovë. Ndjenjat e popullit të tij lidhur me djepin e civilizimit të tyre janë të ndezura. Ai e shtroi çështjen hapur: Serbia beson se Kosova është pjesë e Serbisë. Kosova nuk beson kështu. Kosova është 90 për qind shqiptare. Ekonomia serbe është dobësuar. “Kush mund të jetë në favor të politikave të tilla? Është në dorën tonë të vendosim nëse do shkojmë përpara, ose do mbetemi në të kaluarën.”

Serbët dhe kosovarët kanë vendosur. Ata ranë dakord mbi shkallën e autonomisë për dhjetëra mijëra serbë në Veri të Kosovës. Ata hapën tregtinë. Ata mbajtën zgjedhje të lira. Ata anashkaluan dallimet e pazgjidhura. Ata zgjodhën vetë rrugën drejt Bashkimit Europian.

Mbi të gjitha, ata lanë mënjanë simbolizmin e fuqishëm të fushës së Mëllenjave në favor të progresit, shfuqizuan mitin dhe zbuluan tregtinë, dhe me arsyetim çliruan veten nga burgu i pasioneve dhe “të vërtetës” së zbuluar.

 

(The New York Times)