Ta kryejmë reformën zgjedhore gjatë shkurtit

Kryeministri Hashim Thaçi pranon se ndryshime kushtetuese nuk mund të ketë përderisa nuk ka konsensus ndërpartiak. Prandaj fton partitë të merren vesh për reformë zgjedhore, brenda pjesës së parë të shkurtit. Thotë se PDK është e gatshme për këtë.

Lajme

25/01/2014 11:58

Kryeministri Hashim Thaçi, pas mungesës së konsensusit për ndryshimet kushtetuese, ka ftuar të gjithë spektrin politik kosovar që të bëj reforma të nevojshme zgjedhore që të garantohen zgjedhje fer dhe demokratike, në të cilat do të respektohej vullneti i qytetarëve.

“Pas mungesës së konsensusit të domosdoshëm për ndryshimet kushtetuese për vendet e rezervuara për komunitete në Kosovë, ftoj spektrin politik të Kosovës që t’i bëjmë reformat e nevojshme zgjedhore që garantojnë proces fer, transparent, demokratik dhe respektim të vullnetit të qytetarëve, si dhe të plotësojmë pritjet e partnerëve tanë ndërkombëtarë”.

Kreu i Qeverisë, Thaçi, ka renditur reformat e nevojshme ligjore dhe fushat në të cilat do të duhet që të punohet në reformën zgjedhore.

“Tani na mbetet t’i bëjmë reformat e nevojshme ligjore, që prekin ligjin për zgjedhjet nacionale në disa fusha, për të cilat pres të arrijmë konsensus politik, por edhe aprovimin në Kuvendin e Kosovës, si: përcaktimi i kohëzgjatjes së fushatës elektorale, përcaktimi i numrit të kandidatëve në listat zgjedhore,përcaktimi i pragut zgjedhor, përcaktimi i të drejtës për votim me kusht dhe çështje tjera të rëndësisë së përbashkët të të gjithë spektrit politik”.

Kryeministri ka ftuar spektrin politikë që këto ndryshime të bëhen deri në pjesën e parë të muajit shkurt.

“Ftoj spektrin politik që këto ndryshime t’i bëjmë në afatin e parë të mundshëm, në pjesë e parë të muajit shkurt”.

“Po ashtu, PDK-ja shpreh gatishmërinë për pjesëmarrje në debate si dhe vullnet për arritjen e konsensusit politik”- ka shkruar Kryeministri Hashim Thaçi në Facebook.