Synimi europian i Kosovës

Ministri Enver Hoxhaj takoi sot Ambasadorin britanik Ian Cliff. Biseduan për agjendën europiane të Kosovës dhe premtuar fuqizim të marrëdhënieve bilaterale.

Lajme

30/10/2013 13:06

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, e ka njoftuar Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ian Cliff për progresin në Kosovë, për forcimin e shtetësisë, të subjektivitetit ndërkombëtar dhe veçanërisht për progresin konkret në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Në një takim të zhvilluar sot, duke iu referuar hapjes së negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, Ministri Hoxhaj ka veçuar angazhimin e fuqishëm të Qeverisë së Kosovës për përmbushjen e agjendës integruese europiane.

Hoxhaj theksoi se Qeveria e Kosovës përmes përmbushjes së shpejtë të të gjitha kritereve të nevojshme, synon avancimin e shpejtë në proceset integruese dhe rikthimin e plotë në familjen e madhe europiane, thuhet në komunikatën e MPJ’së.

Ministri i Jashtëm kosovar ka shprehur mirënjohjen e popullit dhe Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e jashtëzakonshme të Mbretërisë së Bashkuar në të gjitha proceset, duke kërkuar mbështetje të mëtejshme të Britanisë në proceset integruese të Kosovës.

Ministri Hoxhaj po ashtu vlerësoi lartë bashkëpunimin bilateral ndërmjet dy shteteve, duke theksuar vullnetin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e gjithanshëm të shkëmbimeve.

Ambasadori britanik në Kosovë, Ian Cliff, uroi ministrin Hoxhaj për hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, duke shprehur mbështetjen e mëtutjeshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën.

Ambasadori Cliff po ashtu theksoi vullnetin e Mbretërisë së Bashkuar për fuqizimin e shumanshëm të bashkëpunimit bilateral me Republikën e Kosovës, thuhet në komunikatë.