Sylë Hoxha, u.d. kryeprokuror i Shtetit (video)

Me pesë vota për dhe një kundër, prokurori Sylë Hoxha është zgjedhur të martën ushtrues detyre i kryeprokurorit të Shtetit, i cili për kundërkandidat kishte prokurorin Idajim Smajli.

Lajme

29/07/2014 13:00

Hoxha, përpara se të zgjidhej në këtë pozitë, ishte kandidat për Kryeprokuror të Shtetit, por tha se nëse e merr votën e anëtarëve të Këshillit për Ushtruese Detyre, atëherë do ta tërheq kandidaturën për Kryeprokuror të Shtetit.  

Zgjedhja e tij është bërë nga Këshilli Prokurorial, pas daljes në pension të kryeprokurorit Ismet Kabashi, si dhe pasi Gjykata Kushtetuese, për shkaqe procedurale të zgjedhjes, shkarkoi Aleksandër Lumezin nga pozita e Kryeprokurorit të Shtetit.

Këshilli Prokurorial po ashtu ka bërë të ditur se ka vazhduar edhe për dhjetë ditë afatin e konkurrimit për pjesëtarë të shoqërisë civile, për të qenë pjesë e këtij këshilli, pasi deri më tash janë kandiduar vetëm tre, ndërkohë që nevojitet që këtë ta bëjnë edhe dy të tjerë.

Mbledhja e Këshillit Prokurorial, e cila kishte si rend dite zgjedhjen e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të shtetit, u karakterizuara me paqartësi të mëdha.

Fillimisht u propozua Idain Smajli, përfaqësuesi i vetëm minoritar në këshill, por me tre vota për, dy abstenime dhe një 1 kundër, Smajli nuk mori votat e mjaftueshme. Më pas u propozua Sylë Hoxha, ku edhe linden dyshimet nëse anëtarët kanë të drejtë ta votojnë atë. Këshilli lypi një herë 15 minuta të cilat nuk mjaftuan për heqjen e dilemave, pastaj u propozua edhe për 30 minuta pauzë.

Pas kësaj kohe, Ismet Kabashi i cili e udhëhoqi për herë të fundit mbledhjen e Këshillit Prokuroria, konfirmoi se Idain Smajli nuk ka marrë votat e mjaftueshme për pozitën e ushtruesit të detyrës si kryeprokuror i shtetit, ndërkaq që anëtarët kanë të drejtë ta votojnë kandidatin e ri Sylë Hoxhën. Në këtë mbledhje prapë mungoi Ministri në detyrë  i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.