Sveçla: Thaçi e Haradinaj do të intervistohen për rastin e deportimit të shtetasve turq

Ka përfunduar intervistimi i ish-shefit të AKI-së, Driton Gashit, proces ky që zgjati nga ora 9 e mëngjesit deri në 14:00, në lidhje me deportimin e shtetasve turq.

Lajme

15/11/2018 14:53

Kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar, Xhelal Sveçla, ka thënë se nga Driton Gashi kanë marrë dëshmi të cilat nuk mund të bëhen publike aktulisht.

I pyetur nëse nga ky Komision Hetimor do të ftohen për të raportuar rreth rastit të gylenistëve edhe presidenti e kryeministri, Sveçla tha se një gjë e tillë tashmë është planifikuar:

”Në planin e veprimit që ky komision ka miratuar është paraparë që edhe ata të ftohen para komisionit. Është çështje e koordinimit dhe organizimit të punëve të komisionit që të vijmë deri tek ai moment që të vijnë dhe ata të japin dëshmitë e tyre para Komisionit Hetimor”, është shprehur Sveçla, njofton Klan Kosova.

Më tej ai ka theksuar se po punohet nga institucionet e ndryshme të ”gjuhet topi” nga një institucion në një institucion tjetër, për rastin e deportimit në nxitim të gjashtë shtetasve turq.

Kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar, Xhelal Sveçla tha po ashtu se ky komision ka vetëm dhe një muaj mandat për të arritur në përfundim në zbardhje të këtij rasti.