Suspendohen pesë doganierë të Hanit të Elezit

Drejtori i përgjithshëm i Doganës se Kosovës ka suspenduar pesë oficerë të degës doganore të Hanit Elezit, pas dyshimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare, të raportuara nga një qytetar.

Lajme

09/04/2014 11:00

Pas informatave të pranuara nga një qytetar se ndërrimi i doganës në Han të Elezit ka keqpërdorur detyrën, menaxhmenti i doganës suspendoi të mërkurën pesë oficerët doganorë, respektivisht suspendoi katër oficerët e ndërrimit, si dhe ushtruesin e detyrës së udhëheqësit të degës doganore të Hani i Elezit, për përgjegjësi menaxheriale.

“Pas informatës se këta oficerë doganorë kishin përvetësuar mallra të cilat ishin në procedurën e zhdoganimit, është iniciuar procedura e brendshme hetimore për dyshimin e bazuar se ka keqpërdorim potencial të detyrës zyrtare me ç’rast u mor edhe masa e suspendimit”, thuhet në një kumtesë të Doganës së Kosovës.

“Ushtruesi i detyrës së udhëheqësit të degës doganore Hani Elezit po ashtu është suspenduar për përgjegjësi menaxheriale, respektivisht nuk ka mbikëqyrë, kontrolluar dhe paraqitur oficerët e dyshuar për veprimin e tyre”.

“Njësitet e doganës për hetime të brendshme do ta trajtojnë tutje këtë rast”, thuhet në komunikatë.

Ky rast tregon edhe një herë përkushtimin e menaxhmentit të Doganës së Kosovës për të luftuar dukuritë negative. Po ashtu, Dogana falënderon qytetarin e ndershëm për informatat e ofruara dhe bën thirrje të gjithë qytetareve që të vazhdojnë ta ndihmojnë Doganën, duke lajmëruar raste të korrupsionit, kontrabandës apo keqpërdorimeve të ndryshme në 0800 50 095 (pa pagesë) ose me mesazhe përmes 50 095 (pa pagesë).