Suspendohen dy policë, lanë trupin e vdekur të digjet për një kafe

Policia e Kosovës ka suspenduar dy zyrtarë policorë, nën dyshimin për trajtim jo adekuat të rastit të gjetjes së një personi pa shenja jete dje në një kasolle druri në fshatin Drelaj – Rugovë.

Lajme

17/12/2018 20:00

Në komunikatën për media thuhet se patrulla policore menjëherë iu ka përgjigjur rastit, përfshirë edhe ekipin mjekësor, të cilët kanë konstatuar se personi i gjetur brenda është pa shenja jete.

Derisa është zbuluar fakti se dy policët: B.Ademi dhe F.Bajraktaraj, ishin caktuar që ta ruajnë më pas vendin e ngjarjes derisa aty të dilte forenzika dhe mjekësia ligjore.

Dy policët e kishin lënë vendin e ngjarjes. Ata i ftoi dikush për të pirë kafe në një pushimore tjetër afër dhe vetëm pas pak kohe pushimorja e Hazir Qorraj ishte përfshirë nga flaka bashkë me trupin e pajetë të tij.

Derisa zyrtarët policorë patrullues ishin duke pritur edhe njësitin e hetimeve për të arritur në vendngjarje për të vazhduar me procedurat e mëtutjeshme policore, papritmas kasollen e drurit e kishte kapluar zjarri dhe është djegur tërësisht.

Referuar situatës së krijuar, vendit të ngjarjes iu kanë përgjigjur të gjitha njësit policore, duke përfshirë edhe ekspertin për hetimin e zjarreve nga njësiti i zjarrfikëseve.

Lidhur me rastin është informuar prokurori i shtetit dhe këqyrja e vendit të ngjarjes ka vazhduar edhe sot, për të sqaruar të gjitha rrethanat lidhur me rastin.

Sipas hetimeve preliminare të deklaruara nga eksperti i zjarrit, dyshohet se zjarri është shkaktuar nga rryma. /Lajmi.net/

Lexo edhe:

Suspendohen nga Policia e Kosovës dy zyrtarë të hetimit të krimeve ekonomike