Surroi refuzon dekoratën nga Thaçi: I pandershmi nuk mund të më nderojë

Publicisti e shkrimtari Veton Surroi, ka refuzuar dekoratën që presidenti Hashim Thaçi ka ndarë për të.

Lajme

17/02/2018 14:52

Në një postim në Facebook, Surroi ka thënë se me përjashtim të okupatorëve, nuk ka pasur njeri që i ka bërë dëm vendit më shumë se sa Thaçi. E me bindjen e tij ka thënë se refuzon të marrë çfarëdo dekorate nga ai.

“Pash emrin tim, dy herë, në listën e të dekoruarve nga Hashim Thaçi për dhjetëvjetorin e pavarësisë. Që të dyja herët emri im është vënë në proceset vendimtare për arritjen e lirisë dhe pavarësisë, Konferencës së Rambouillet dhe Procesit të Vjenës. Ka qenë nder imi që t’i shërbej vendit”, ka shkruar Surroi.

“Konsideroj se Hashim Thaçi është përgjegjësi kryesor për kapjen e shtetit, izolimin e tij, vjedhjen e tij, varfërimin e tij material, mendor e shpirtëror, zbrazjen e tij prej një të dhjetës së popullatës për dhjetë vjet pavarësie, humbjen e konsensusit politik e perspektivës së të rinjve brenda tij… Me përjashtim të okupatorëve, nuk ka pasur njeri që i ka bërë kaq dëm vendit”, ka thënë më tej.

“Me bindjet e mia për këtë njeri refuzoj të marrë çfarëdo dekorate. I pandershmi nuk mund të më nderoj. As mua e aq me pak këtë vend. Qytetareve: gëzuar dhe u prifshit ndryshimeve!”, ka thënë në fund Surroi.

Medaljen e Thaçit e kanë refuzuar edhe dy anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Rexhep Selimi mbrëmë ka thënë se Thaçi ka shitur idealet e luftës së UÇK-së, e Krasniqi ka akuzuar Thaçin që po bën pazare politike me mirënjohje e dekorata.