Supremja nuk pajtohet me aktgjykimin për rastin “Badovci”, kthen në rigjykim një të akuzuar

Gjykata Supreme për herë të dytë e ka kthyer në rigjykim rastin e njohur si “Badovci”, por për dallim prej herës së parë, këtë herë Supremja ka vendosur vetëm për njërin nga të akuzuarit.

Lajme

27/07/2018 17:53

Fehmi Musa ishte dënuar me 3 vjet burg nga Gjykata Themelore dhe më pas i ishte vërtetuar ky dënim nga Gjykata e Apelit, mirëpo, tani Supremja e ka kthyer çështjen në rigjykim.

Musa ishte dënuar për veprën penale të ndihmës në shtytje në kryerjen e veprave terroriste ndërsa Milazim Haxhiaj, Gazmend Haliti dhe Enis Latifi në korrik u dënuan me nga 3 vjet e gjysmë burg, ndërsa Besnik Latifi u dënua me 4 vjet e 6 muaj burg. Fehmi Musës iu shqiptua dënimi prej 3 vjetësh burg për veprën penale të shtytjes në kryerjen e veprave terroriste.

Lajmin për rigjykimin e këtij rasti për kallxo.com e konfirmoi, zyrtarja për informim pranë Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Po është e vërtetë që ky rast është kthyer në rigjykim mirëpo është kthyer vetëm për të akuzuarin Fehmi Musa”, tha Gashi.

Për kallxo.com u deklarua edhe avokati i Musës, Blerim Qela, i cili tha se ende nuk ka pranuar vendimin e Supremes mirëpo  ka dëgjuar se Supremja ka marrë një vendim për këtë çështje.

“Ne kemi ushtruar një kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Supreme sepse qysh nga fillimi i mbrojturi im ka mohuar të ketë kryer veprën penale”, tha Qela.

Në korrik të vitit të kaluar, Gjykata Themelore e Prishtinës i gjeti fajtor dhe  dënoi për shtytje në kryerjen e veprave terroriste Besnik dhe Enis Latifin, Milam Haxhiajn dhe Gazmend Halitin, ndërsa Fehmi Musa u shpall fajtor për ndihmë në shtytje të kryerjes së këtyre veprave.

Dënimet e shqiptuara nga Gjykata Themelore e Prishtinës ishin më të lehta krahasuar me dënimet që ishin shqiptuar në korrik të vitit 2016 kur Besnik Latifi ishte dënuar me 13 vjet burg, Gazmend Haliti me 12, Milazim Haxhiaj me 10 vjet e 3 muaj, Fehmi Musa me 4 vjet dhe Enis Latifi me 10 vjet burg.

Lehtësimi dënimeve ndodhi pasi që Gjykata Supreme e Kosovës ktheu në rigjykim rastin “Badovci” duke gjetur se nuk është plotësuar figura e veprës penale përgatitja e veprave terroriste.

Sipas aktakuzës, Besnik Latifi, Gazmend Haliti, Milazim Haxhiaj, Fehmi Musa dhe Enis Latifi, në korrik të vitit 2015  kishin shkuar te liqeni i Badovcit, afër Prishtinës, me qëllim që të incizojnë një video propaganduese, në të cilën planifikonin ta lexonin betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste “Shteti Islam”, i njohur me shkurtesën ISIS.

Grupi, sipas prokurorisë, ka pasur qëllim që këtë video ta publikojë në internet me qëllim që të dëshmojnë para botës shtrirjen e të ashtuquajturit “Shtetit Islam” në Republikën e Kosovës.

Të gjithë të akuzuarit e këtij rasti kanë mohuar te këtë kryer veprën për të cilën pretendon prokuroria.