“Supermenët” e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike

ORCA po e monitoron procesin aktual të avancimeve akademike. Disa nga kandidatët e këtij procesi të cilët të hënën do të votohen për avancim, kemi parë se kanë bërë punë të jashtëzakonshme! Duke na lënë edhe neve të habitur kemi parë se 10 kandidatë të propozuar për avancime nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike kanë publikuar 5 deri 19 artikuj secili në revista shkencore brenda një viti e gjysmë.

Lajme

19/07/2018 14:31

Mesatarja e numrit të publikimeve për kandidatin e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike për një vit del 5.5, ndërsa sipas një studimi të botuar në revistë ndërkombëtare, del se në Norvegji në fushën e njëjtë ka 0.96 publikime shkencore në vit për profesor.

Nga kjo situatë mund të nxirren vetëm dy përfundime:

  1. Ose Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike i ka tejkaluar pesë-fish performancat akademike norvegjeze për sa i përket publikimeve shkencore;
  1. Ose publikimet shkencore të FIM nuk janë në revista me cilësi te pranueshme ndërkombëtare.

Ndonëse publikimet e këtyre kandidatëve i plotësojnë kriteret minimale sasiore sipas rregullativave në fuqi, revistat ku janë botuar ato lënë hapësirë për dyshim.

Shumica e këtyre publikimeve janë bërë në vetëm tri revista. Për këto tri revista ORCA ka zbuluar se: keqinformojnë për indeksimin e tyre, përmendin indeksim në databaza të shuara që një kohë të gjatë, nuk e tregojnë adresën e tyre, keqinformojnë për përdorimin e softuerit antiplagjiaturë – ndërkohë që është e lehtë të gjendet plagjiat nga Wikipedia në publikimet e tyre. Për më tepër, njëra nga këto revista e ka botuesin të listuar si të dyshimtë dhe me shkelje serioze të Parimeve të Transparencës dhe Praktikave të Mira për Botues Shkencor.

Ne i bëjmë thirrje Senatit që pavarësisht përmbushjes formale të kritereve, ta zbatojë detyrën e tij statutare, pra të sigurohet se cilësia është mbrojtur duke zbatuar standardet e pranuara botërisht.