Sundimi i Ligjit të Paradoksit

Rrëfimi për Burgun e sigurisë së lartë është një dëshmi fare e qartë e problemeve reale me të cilat ballafaqohen drejtësia dhe gjyqësia në Kosovë.

Opinion

12/03/2014 09:50

Fakti i Parë: U prezantua si burgu i sigurisë së lartë, më i veçanti, më i arriri, si i këtij lloji, në këtë pjesë të Evropës.

Me 18 dhjetor të vitit të kaluar, në Gërdovc të Podujevës, ndodhi ceremonia e hapjes së këtij burgu, i cili ka kushtuar gjithsej 14 milionë e gjysmë euro. 6 milionë janë dhënë nga Qeveria e Kosovës, 8 milionë e gjysmë nga Bashkimi Evropian.

300 të burgosur të ‘klasit të rrezikshmërisë së lartë’, do të duhej të vendoseshin në këtë burg.

Me këtë burg Kosova, gjithsesi, plotëson një tjetër kriter specifik të funksionimit të drejtësisë, pa të cilin nuk mund të ecet si duhet në rrugëtimin në drejtim të Brukselit.

Fakti i Dytë: Me 16 janar të këtij viti, u shpall konkursi për pozitën e Drejtorit të Burgut të Sigurisë së lartë. Kërkohej diploma universitare. Pastaj, kandidati duhej të kishte përvojë pune gjashtëvjeçare, nga të cilat tri në vendet udhëheqëse. Janë shtatëmbëdhjetë detyra që pritet t’i përmbushë Drejtori i këtij burgu. Ky post, siç u tha në shpalljen e këtij konkursi, ka Koeficientin 10-të. Përkthyer në nocione krejtësisht konkrete, kjo do të thotë që rroga e Drejtorit të Burgut të Sigurisë së lartë do të jetë: 465 Euro dhe 40 centë.

Fakti i Tretë: Me 22 janar të këtij viti, u kumtua lajmi për helmimin e njëzet gardianëve të Burgut të sigurisë së lartë, disa prej të cilëve, në gjendje të rëndë, u bartën urgjentisht në QKUK. Gjithçka ndodhi pas konsumimit të mëngjesit.

Fakti i Katërt: Gjyqësia në Kosovë, në përgjithësi, gjendja e saj, cilësia e saj, gatishmëria e saj për të përmbushur detyrën e vet që ka, paraqet, sipas vlerësimeve të përbashkëta vendore dhe ndërkombëtare, njërën prej sprovave më të mëdha të Republikës së Kosovës, në stabilizimin e këtij vendi dhe të kësaj shoqërie.

Konkludimi: Pa një gjyqësi funksionale në Kosovë, nuk ka sundim të ligjit. Pa sundim të ligjit, nuk ka shtet të suksesshëm, nuk ka qëndrueshmëri afatgjatë të një vendi, nuk ka fare gjasa që Kosova të përshpejtojë udhën e vet për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian.

Kaq.

Një lexim, madje edhe i shpejtë, i këtyre katër fakteve dhe të një konkludimi që askush nuk mund t’i mëdyshë, sepse këto janë të dhëna dhe vlera ‘neutrale’ ndaj politikës në Kosovë, të prezantuar prej Qeverisë dhe prej opozitës, shfaq habinë me raportin përjashtues që krijohet në mes tyre, gjë që me të parën (si thuhet), konteston synimin e përbashkët (gjithsesi).

Ta zëmë, fakti i parë, për kushtueshmërinë e ndërtimit të Burgut, që ka bërë bashkë Kosovën dhe BE-në, rri mirë me Konkludimin. Por ai, më pas, nuk ka gjë të përbashkët me Faktin e dytë dhe të tretë në këtë kallëzim. Është paradoks i llojit të vet relacioni midis kualitetit të burgut, kërkesës që bëhet për cilësitë profesionale që duhet t’i ketë pretendenti për Drejtorin e këtij burgu dhe pagës mujore e cila i ofrohet atij: 465 Euro dhe 40 centë. Kjo rrogë është diku 20% më e lartë se paga mesatare në Kosovë, ndërsa ky post, është shumë i veçantë, përgjegjësia është njëmend e jashtëzakonshme, prandaj, gjë të përbashkët me realitetin në mes të kësaj rroge dhe pozitës në këtë burg nuk ka.

E realiteti tjetër, për helmimin e njëzet gardianëve të këtij burgu, vjen po ashtu prej sferës së absurdit, për të zbritur në këtë rrëmujën tonë të rëndomtë kosovare.

Këto gjëra, pra, nuk shkojnë bashkë. Nuk mund të rrinë pranë njëra-tjetrës, sepse janë në relacione të përjashtimit  (objektivisht).

Nuk mund të pritet, pra, punë të dorës së parë, në një Burg të klasit të parë, rrjedhimisht, do të ishte çudi të kemi storie suksesi në funksionimin e këtij Burgu, me këtë rrogë që do ta ketë Drejtori i këtij Burgu.

Kaq.

Rrëfimi për këtë Burg, tek në krijimin e sipër, është një dëshmi krejtësisht e qartë, e dukshme, e problemeve reale me të cilat ballafaqohet drejtësia dhe gjyqësia në Kosovë.

Këto raporte përjashtuese, në përballjen e realitetit me paradokset kosovare, në fakt, mbizotërojnë kudo në Kosovë, jo vetëm më drejtësi.

Aktualisht, nuk ka gatishmëri në politikën dhe në shoqërinë kosovare për t’u marrë me to.

Arsye ka sa të duash. Por, sa më shumë që shtyhet përballja me këtë problem, gjasat që të kthehen mbarë punën ndër ne do të jenë më të vogla.

Kaq.

 

(Autori është Nënkryetar i Parë i AAK’së. Kjo kolumne është shkruar enkas për lajmi.net)