Sunderland befason Man Utd-in e Giggsit

Sunderland mposhti Manchester Unitedin e Ryan Giggsit me rezultat 1:0 në Old Trafford. Sebastian Larsson shënoi golin e vetëm të fitores së madhe të mysafirëve.

Sport

03/05/2014 18:54

Sunderland e eliminoi Manchester Unitedin në gjysmëfinale të Capital One Cup në janar të këtij viti, nën drejtimin e David Moyesit, kurse mposhti edhe skuadrën e drejtuar nga menaxheri i përkohshëm, Ryan Giggs.

Ekipi i Gus Poyet festoi në Old Trafford ku shënoi fitore të madhe me rezultat 1:0. Sebastian Larsson kaloi Sunderlandin në epërsi me golin e tij pas gjysmë ore lojë.

Kurse, United, pavarësisht rasteve për të barazuar rezultatin, nuk arriti të shënonte ndaj portierit Vito Manone.

Adnan Januzaj u inkuadrua në minutën e 52-të në vend të Nanit, kurse pas pak më tepër se një ore lojë, në lojë hyri edhe sulmuesi i rikuperuar Robin van Persie – në vendin e Juan Matas – por as ata nuk kryen punë dhe United pësoi humbjen e 12-të këtë sezon.