Sulmuesit që deshën ta vrasin Ziadin Selën dënohen me 81,5 vjet burg

Gjykata Penale e Shkupit dënoi sot me gjithsej 81,5 vjet burg 7 të akuzuarit për tentimin për vrasjen e deputetit Ziadin Sela, që ndodhi më 27 prill të vitit të kaluar, kur turma nacionaliste maqedonase hyri me dhunë në Kuvendin e Maqedonisë.

Lajme

05/07/2018 11:54

Kire Georgievski u dënua me 13 vjet burg, Oliver Oshavkovski me 10.5, Nikollçe Dimitrievski me 10.5, Aleksandar Janeveski-Toshta me 13 vjet,  Andrej Micov me 10.5, Nikolla Vojminovski me 13.5 dhe Kosta Dellov me 10.5 vjet burg, raporton Portalb.mk.

Aktvendimin e shqiptoi gjykatësja Sllavica Andreevska, e cila kërkoi që të akuzuarit të dërgohen drejt në burg.

Dënimi është relativisht i lartë për shkak se dhunuesit kanë sulmuar deputetin, i cili zgjidhet nga populli, si dhe e kanë sulmuar në organin më të rëndësishëm shtetëror.