Sulmuesi i Stokholmit ka dashur të ndalë luftën e Suedisë kundër ISIS-it

Një shtetas uzbek, i cili ka pranuar se ka kryer një sulm vdekjeprurës vitin e kaluar në Stokholm, i tha gjykatës së qëllim i tij ka qenë të nxisë Suedinë të tërhiqet nga lufta kundër grupit ekstremist Shteti Islamik.

Bota

20/02/2018 14:43

“Kam dashur që Suedia të ndalojë së dërguari ushtarë në zonat e luftës, ku po sulmohet Shteti Islamik”, tha Rakhmat Akilov në gjyqin e tij në kryeqytetin suedez.

Akilov akuzohet për terrorizëm, pasi, më 7 prill, ai ka përplasur qëllimshëm kamionin për një turmë njerëzish, duke vrarë pesë veta dhe plagosur dhjetë të tjerë.

Akilov po ashtu tha se ka dashur që Suedia “të ndalojë së dërguari shuma gjigante parash për të luftuar kalifatin” – referencë për shtetin që dëshiron të krijojë grupi ekstremist.

Ai tha se nuk është frymëzuar nga ndonjë sulm specifik, porse ka qenë në dijeni për sulmet e mëparshme në Berlin, Londër dhe Nicë, në të cilat sulmuesit kanë përdorur automjete për të goditur njerëz.

Suedia, njëri nga vendet më të sigurta në Evropë, ka rreth 70 ushtarë në veri të Irakut që ofrojnë trajnime, në kuadër të koalicionit shumëkombësh që lufton Shtetin Islamik.