Sulmohet autobusi kosovar në Serbi, reagon Pacolli

Një autobus i Kosovës është sulmuar pasditen e së dielës në territorin serb pasi po kthehej nga Gjermania.

Lajme

09/09/2018 20:48

Lidhur me këtë ka reaguar ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli duke thënë se ky sulm është i papranueshëm dhe duhet të dënohet urgjentisht nga Bashkimi Evropian, përcjell lajmi.net.

Pacolli ka shtuar se institucionet e sigurisë në Serbi duhet të marrin mësim nga profesionalizmi i Policisë së Kosovës dhe përkushtimi që kanë ndaj komunitetit serb në Kosovë.

Autobusi është gjuajtur me gurë nga persona të paidentifikuar dhe përpos dëmeve materiale nuk është raportuar të ketë pasur njerëz të lënduar.

Reagimi i tij i plotë:

Sulmi, me mjete të forta, por fatmirësisht pa lëndime në njerëz, që sot ka ndodhur ndaj një autobusi të një kompanie kosovare, përderisa po kalonte tranzit nëpër teritorin e shtetit fqinj -Serbisë është i papranueshëm dhe duhet të dënohet urgjentisht nga BE-ja, komuniteti ndërkombëtarë dhe vetë Institucionet e rendit dhe Ligjit në Serbi.

Institucionet sigurisë të Serbisë duhet të marrin mësim nga profesionalizmi, përkushtimi dhe përgjegjësia e Policisë së Republikës së Kosovës ndaj të gjithë shtetasve dhe qytetarëve, që jetojnë në Republikën e Kosovës.