Sulmi ndaj spitalit, Obama premton hetime të imtësishme nga SHBA-të

Presidenti Barack Obama ka bërë të ditur nisjen e një “hetimi të plotë” nga ana e Shteteve të Bashkuara për sulmet ajrore, që lanë të vdekur 19 persona në një spital të Afganistanit të drejtuar nga organizata “Mjekët pa kufij”, gjatë së shtunës.

Bota

04/10/2015 13:16

Ushtria amerikane tha se, një sulm që kishte për objektiv talebanët në qytetin verior të Kunduzit mund të kishte shkaktuar “dëme anësore”.

Duke ofruar “ngushëllimet e sinqerta” për jetët e humbura, Obama tha se pret tashmë “një përllogaritje të plotë të fakteve” dhe më pas të mund të bëhet një gjykim përfundimtar. Të paktën 12 prej viktimave raportohen të jenë mjekë të stafit të organizatës, ndërkohë që mes tyre ishin edhe 7 pacientë.

Kombet e Bashkuara i quajtën sulmet “ta pafalshme dhe ndoshta edhe kriminale”, teksa Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki-moon bëri thirrje për një hetim të thellë dhe të pavarur.

“Planifikuesit ushtarakë ndërkombëtarë dhe ata afganë kanë për detyrim të respektojnë dhe të mbrojnë qytetarët në cilëndo kohë, ndërsa mjediset e shërbimeve mjekësore dhe personeli që ndodhet brenda tyre janë subjekt i një mbrojtjeje edhe më speciale”, tha komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara, Ra’ad al-Hussein Zeid.

Presidenti Obama shprehu ngushëllimet e tij për vdekjet përmes një deklarate të Shtëpisë së Bardhë, ku shtonte se “Departamenti i Mbrojtjes kishte nisur një hetim të imtësishëm dhe do të pritej deri në rezultatet e këtij hetimi përpara se të jepej gjykimi përfundimtar për rrethanat e kësaj tragjedie”./TopChannel