Sulmet seksuale në Këln natën e Vitit të Ri: Shkarkohet shefi i Policisë

Shefi i Policisë në qytetin e Këlnit, Wolfgang Albers, është pushuar nga puna pasi dyshohet se ai është munduar të fsheh sulmet masive seksuale natën e Vitit të Ri ndaj grave në këtë qytet, që kryesisht ishin bërë nga persona me prejardhje afrikano-veriore.

Bota

08/01/2016 19:07

60-vjeçari Albers përkundër kritikave të mëdha, kishte refuzuar të dorëhiqej deri tani, por ditëve të fundit marrë një njoftim nga ministri i brendshëm gjerman Ralf Jaeger se do të dërgohet në pensionim të parakohshëm, i ka thënë Reutersit një burim brenda Qeverisë.

Shkarkimi i tij vjen edhe si pasojë e reagimit të dobët të policisë atë natë kur ndodhën sulmet seksuale ndaj grave, transmeton KosovaPress.

Një nga viktimat e sulmeve seksuale në Këln i ka thënë CNN-it se kishte shumë pak policë që frekuentonin rrugëve për të evituar sulmet seksuale.

“Vrapuam drejt Policisë, por pamë se në rrugë kishte shumë pak policë. Ata nuk mundën të përkujdesen për neve dhe ne si gra paguam çmimin”, ka thënë viktima.

Deri tani Policia gjermane ka identifikuar 31 të dyshuar, në mesin e tyre 18 azilkërkues, për dhunë fizike dhe plaçkitje gjatë festimeve të Vitit të Ri në Këln.