Sulmet dhe presionet e Beogradit zyrtar ndaj pjesëtarëve serb të FSK-së nuk duhet nënçmuar

Arrestimi i paradokohshëm dhe marrja në pyetje nga organet policore serbe me rastin e kalimit të kufirit Serbi-Kosovë, të pjesëtarëve serb te Fsk-së si dhe djegia e disa veturave të tyre, në pjesën veriore të vendit tonë, nuk janë asgjë tjetër përveç një lloj lufte speciale, përkatësisht psikologjike kundër këtyre pjesëtarëve vetëm e vetëm për tu mos u bërë pjesë e FSK-së dhe të zmbrapsjes së atyre që mendojnë të rekrutohen në këtë institucion.

Lajme

30/05/2018 09:56

Dhe jo vetëm kaq.Këto veprime nëkonsekuencën e fundit janë dhe një tregues më shumë se lista Serbe, si derivat i politikës zyrtare serbe, me asnjë kusht nuk do të i votoj ndryshimet Kushtetuese që kanë të bëjnë me formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Si rezultat i kësaj situate të krijuar ndaj pjesëtarëve serb të FSK-së, aktiviteti ynë shtetërorë për të siguruar jetën dhe pasurinë e tyre duhet të jetë më i theksuar duke e ngritur njëkohësisht këtë çështje në të gjitha instancat relevante ndërkombëtare. Kjo aq më parë që deshëm ne apo jo kjo fushatë serbe edhe mund të ketë sukses dhe mund të ballafaqohemi me rënien drastike të numrit të rekrutuesve serb ne FSK si pretekst për të treguar se gjoja FSK është vetëm e shqiptarëve dhe se nga multietniciteti i proklamuar, sipas tyre, nuk ka asgjë të vërtetë etj.

Kur themi këtë atëherë duhet pasur parasysh faktin se Beogradi zyrtar përveç ndikimit tëmadhe politik tek serbët e Kosovës, mund të përdor metoda dhe mjete të ndryshme  për të i larguar Serbët e Kosovës nga FSK. Në këtë kontekst duhet pasur parasysh faktin se vetëm konstatimi momental i kësaj trysnie ndaj këtyre pjesëtarëve apo ndonjë shkrim të aty-këtushëm në portalet tona, nuk janë të mjaftueshme për të theksuar seriozitetin e dëmtimit tonë institucional nga Beogradi zyrtar. Nëse i referohemi reagimeve shumë të ashpra dhe të vazhdueshme në ngritjen e disa dukurive të izoluara që kanë ndodhur në Kosovë nga zyrtar të lartë shtetëror, duke filluar nga Presidenti i Serbisë deri në Këshillin e Sigurimit të Organizatës të Kombeve të Bashkuara, atëherë kundërvënia jonë shtetërore ndaj kësaj dukurie (sulmet në pjesëtarët serb të Fsk-së), është e pamjaftueshme. Shtrohet pyetja se a nuk kemi mundur p.sh: që të shfrytëzojmë këtë çështje në planin ndërkombëtar politik e diplomatik për nevojë urgjente të aprovimit të ligjit shtesë për detyra ushtarake të FSK-së, pasi që këtë nuk po mundemi ta bëjmë me ndryshime Kushtetuese.

Duhet shpjeguar dhe dokumentuar se kërkesat e një pjese të Bashkësisë Ndërkombëtare që Forcat e Armatosura të Kosovës të formohen vetëm me ndryshime Kushtetuese, janë të pa baza dhe të pamundura. Kujtoj se qeveria aktuale në këtë pikë duhet të tregohet më këmbëngulëse përkundër kundërshtimeve momentale që do të ndodhin nëse FSK-së i atribuohen detyra shtesë të karakterit ushtarak.