Sulme me thika në Finlandë e Gjermani, tre të vdekur (Video)

Tre persona kanë gjetur vdekjen nga dy sulme me thika të ndodhur në një distancë kohore të shkurtër nga njëri-tjetri në Finlandë dhe Gjermani.

Bota

18/08/2017 18:37

Sulmi i parë ndodhi në qytetin Turku të Finlandës, ku një person i armatosur me thikë ka sulmuar kalimtarë të rastësishëm. Për pasojë, dy persona kanë gjetur vdekjen dhe tetë të tjerë janë plagosur.

Policia neutralizoi agresorin duke e qëlluar atë në këmbë. Ai është ndaluar dhe kanë nisur hetimet, ndërkohë që autoritetet u bënë thirrje qytetarëve në qytetin jug-perëndimor të vendit që të shmangin qendrën e qytetit deri në një njoftim të dytë.

Pak orë më vonë, në Dusseldorf të Gjermanisë një u raportua një sulm i ngjashëm. Sipas mediave vendase, një 31-vjeçar është goditur disa herë me thikë para një dyqani rrobash në lagjen Elberfel dhe për pasojë ka gjetur vdekjen, ndërkohë që nga sulmi dyshohet edhe për dy të plagosur.

Autoritetet janë duke hetuar si në Gjermani ashtu dhe në Finlandë dhe paraprakisht nuk përjashtojnë mundësinë e një sulmi të ekstremistëve xhihadistë.

Ngjarjet mbërrijnë vetëm një ditë pas sulmeve terroriste në Spanjë, ku 14 persona humbën jetën dhe mbi 100 të tjerë u plagosën në dy incidente, një përplasje me makinë në Las Ramblas të Barcelonës dhe një incident në Cambrils.

YouTube player