“Sulm kundër zemrës së demokracisë”

Reagime të tronditura pas sulmit të dyshuar si terrorist në Londër. Kancelarja gjermane, Angela Merkel i ofroi Britanisë së Madhe solidaritetin e Gjermanisë në luftën kundër terrorit.

Bota

22/03/2017 23:44

Kancelarja gjermane, Angela Merkel reagoi e tronditur pas sulmeve të dyshuara terroriste në Londër dhe premtoi solidaritet në luftë kundër terrorit. “Edhe pse duhet zbardhur deri në fund sfondi i këtyre akteve, dua të përforcoj qëndrimin e Gjermanisë e qytetarëve të saj, se në luftën kundër çdo lloj forme të terrorizmit ne qëndrojmë fort e të bashkuar në krah të Britanisë së Madhe”, tha ajo. Merkel u shpreh se është me mendje tek miqtë britanikë në Londër dhe shprehur ngushëllimet e saj.

Edhe presidenti i ri gjerman, Frank Walter-Steinmeier, i cili të mërkurën bëri betimin si president u shpreh i prekur. “Lajmet për sulmin vrasës në Londër më kanë tronditur thellë” Jam me mendje tek viktimat dhe ata që kanë humbur të afërmit, tha Steinmeier. Ndërsa ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel e cilësoi sulmin në Londër si “sulm kundër zemrës së demokracisë”. Gabriel tha, se “nuk është me sa duket rastësi, që ky sulm u krye në afërsi të parlamentit britanik”.

Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere u shprehu solidaritetin “miqve britanikë”. De Meiziere theksoi, se autoritetet e sigurisë janë në kontakt të vazhdueshëm me kolegët britanikë. “Ende nuk është e qartë se cili ishte motivi i këtij akti brutal , por shumë gjëra flasin për një sfond terrorist”, tha ai./dw/