Sulm kamikaz në Afganistan, vriten 11 persona, 40 të plagosur

​11 persona, mes tyre edhe fëmijë kanë humbur jetën si pasojë e një sulmi kamikaz në Afganistan. 40 të tjerë u plagosën, teksa ende asnjë prej grupeve ekstremiste nuk kanë marrë përgjegjësinë. Ngjarja vjen në prag të bisedimeve për paqe mes qeverisë dhe talebanëve, të cilat janë programuar për tu mbajtur javën e ardhshme.

Bota

27/02/2016 18:16

Një sulm kamikaz në provincën e Kunarit në Afganistan ka shkaktuar vdekjen e të paktën 11 personave, mes tyre edhe fëmijë. Autori i këtij sulmi i veshur me eksploziv, drejtonte një motorcikletë teksa hodhi veten ne herë pranë një ndërtese qeveritare në qytetin e Asadabadit. Deri më tani përveç 11 viktimave numërohen edhe të paktën 40 të plagosur.

Mes personave që kanë humbur jetën është edhe një komandat i ushtrisë afgane. Megjithëse për momentin askush nuk ka marrë përgjegjësi për sulmin, autoritetet besojnë se pikërisht komandanti i cili ishte drejtues edhe i njërit prej fiseve më të njohura në qytet, Haji Kahn Xhan ishte objektivi i agresorit, pasi ushtaraku kish qenë i përfshirë në disa operacione kundër talebanëve gjatë vitit të shkuar

Sulmi kamikaz vjen në prag të bisedimeve për paqe mes qeverisë dhe talebanëve, të cilat janë programuar për tu mbajtur javën e ardhshme. Delegatë nga Afganistani, Kina, SH.B.A dhe Pakistani zhvilluan një takim javën e shkuar në Kabul për të gjetur një rrugë drejt procesit të paqes në vend, proces që u ndërpre verën e shkuar pas lajmit të vdekjes së liderit të talebanëve Mullah Omarit.