Suksesi kushtëzon shpalljen e zonave tjera të lira ekonomike

Varësisht nga suksesi i tri zonave të lira ekonomike tashmë të shpallura (Gjakova, Mitrovica dhe Prizreni), do të shpallën edhe zona tjera të lira ekonomike, tha ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj.

Lajme

10/04/2014 18:08

“Sa i përket zonave të reja, nëse shihni planin kombëtar për zona ekonomike, të aprovuar nga Qeveria në tetor të vitit të kaluar, ne kemi thënë që hapi i parë do të jetë funksionalizimi i këtyre zonave fillestare ekonomike. Në këtë rast i kemi tri. Pastaj, varësisht nga përvoja dhe suksesi i këtyre zonave të lira ekonomike, do të shpallim edhe zona tjera, varësisht nga studimet e fizibilitetit që dalin me këtë rast. Ne këtë duhet ta kuptojmë si proces, jo si një hap të njëhershëm dhe pastaj nuk ndodh asgjë”, tha ai.

Ndërsa Arian Zeka, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane (OEA), tha se me gjithë  skepticizmin e shprehur, me shpalljen e tri zonave të lira ekonomike, vendimi i Qeverisë për lehtësirat fiskale tejkalon problemet e mundshme, pasi që Kosova me këto masa fiskale do të shihet si një zonë e lirë ekonomike.

Edhe Berat Rukiqi, nga Oda Ekonomike e Kosovës, tha se asociacionet e biznesit po i shtyjnë para agjendat, të cilat janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e sektorit privat.