Suhareka po bën gati projektin për ndryshimin e qytetit, më i madhi deri tash

Prej hyrjes në Suharekë, qoftë nga Prizreni, apo nga Prishtina, rruga kryesore fund e krye quhet “Brigada 123”, në emër të brigadës së UÇK-së që ka mbuluar atë zonë. Por, kjo rrugë dhe shumë gjëra pritet të ndryshojnë në bazë të dokumenteve që ka Ndertimi.info.

Lajme

03/03/2018 14:38

Kjo rrugë ndër vite është ndërtuar e rindërtuar disa herë. Menjëherë pas luftës ishte ndërtuar nga KFOR-i, më pas kishte pasë investime të një pas njëshme, por dëmtimet aty vërehen qartë. Deri në ndërtimin e autostradës “Ibrahim Rugova”, aty kanë kaluar edhe mjetet e rënda që shkonin e vinin nga Shqipëria.

Tash, Komuna e Suharekës është bërë gati t’i futet edhe njëherë punës për të rregulluar këtë rrugë dhe si duket për të rinkonsutruktuar. Ata dëshirojnë që para sezonës së verës të kryejnë punë aty. Komuna, si autoritet kontraktues, ka hapur një tender në lidhje me “Hartimin dhe revidimin e projekteve – Hartimi i projektit zbatues rruga ‘Brigada 123’ Suharekë”.

Ky plan duhet të përmbajë shqyrtimin e situatës, analizën e gjendjes dhe të hartojë projekt detal-zbatues për 5 segmentet e përshkruara në detyrën projektuese. Vlera e parashikuar për këtë është 20.000 euro (njëzetë mijë euro).

Çka përmbajnë 5 fazat e rrugës

Projekti që ndahet në pesë fragmente të rrugës, fillon nga rrethrrotullimi në Shirokë, deri te vendi i njohur në Suharekë sikur te “Ura e Vogël”, pothuajse në qendër të qytet, duke përshkruar rrugën pranë sheshit “Fadil Vata”. Kjo rrugë do të shndërrohet e tëra në 2×2 shirita qarkullues në dy drejtime.

Faza e dytë dhe ajo e tretë janë ndoshta dallimi më i madh që do t’i bëhet qytetit. Sheshi do fillojë nga ish-Shtëpia e Mallrave deri te “Ura e Vogël”. Aty parashihet që nga rrugë e qarkullueshme non-stop të shndërrohet në një shesh qendror të qytetit, pra në zonën nga “Ura e Vogël” deri të “Ura e Madhe”, teksa prej aty do të vazhdohet deri te rruga “Indrit Cara” ose pranë ish-Shtëpisë së Mallrave.

Këto zona do të jenë të qasshme për qytetarë si zona të lira të qarkullimit në këmbë, kurse për automjete do të mundësohet në orë të caktuara të qarkullojnë.

Zona e katërt që përfshinë zonën nga ish-Shtëpia e Mallrave do të bëhet me shirit qarkullues 2×2, do të proejktohen parkingje të shumta, teksa zgjerim rruge do të ketë deri në dalje të qytetit si pjesë e fragmentit të 5-të.

Çka do ketë nëpër sheshe e përgjatë rrugëve

Në dosjen e tenderit, në të cilën ka qasje Ndertimi.info, parashihet që të ketë korridore dhe shirita gjelbërues në dy anët e rrugëve, ku do të jetë lloje të ndryshme drunore, ku do të dominojë “bliri”. Parashihet që ato të kenë ndiqim dhe sistem ujitje.

Suharekës si duket do t’i shtohen edhe fontana, ulëse e ndriqime zbukuruese. Gjithashtu parashihet staza për çiklistë e për të verbër.

Duhet përmendur se aty planifikohen edhe stacionet e autobusëve përgjatë rrugës të projektohen dhe të ndryshohen, që të duken sa më modernë, pasi tash në fakt pothuajse nuk ka fare.

Ky pritet të jetë projekti më i madh që Suhareka ka ndërmarrë për të ndryshuar fytyrën e qytetit, i cili vërehet se është mbushur me ndërtesa në qendër dhe përgjatë kësaj rruge, “Brigadën 123”, të cilat kalojnë 10 katet e lartësisë./ndertimi.info/