Sugjerohet të shkojë në Beograd

Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga ka marrë ftesë nga Komisioni Evropian për të qenë pjesëmarrëse në konferencën e grupit evropian të Komisionit Trilateral, i cili do të mbahet në Beograd.

Lajme

20/10/2014 09:20

Ndonëse Presidenca ende nuk ka marrë vendim dhe është në proces të shqyrtimit të kësaj ftese, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare janë të mendimit që Jahjaga duhet të shkojë në Beograd.

Profesori për marrëdhënie ndërkombëtare, Afrim Hoti ka thënë për gazetën Tribuna se presidentja duhet t’i përgjigjet pozitivisht kësaj ftese të Komisionit Evropian.

“Mendoj se pavarësisht zhvillimeve ditore, presidentja Jahjaga, duhet me ndjekë agjendë dhe mandat të qeverisjes shtetformuese dhe në këtë drejtim për aq kohë sa ftesa t’i vijnë nga cfarëdo mekanizmi serioz ndërkombëtar, ajo duhet t’u përgjigjet pozitivisht. E kuptoj edhe frustrimin dhe tensionet e krijuara kohëve të fundit, sidomos pas zhvillimit të ndeshjes mes përfaqësueses së Shqipërisë me atë serbe, megjithatë nëse duhet dikush të izolohet, jap duhet të jetë Serbia dhe në asnjë mënyrë Kosova e Shqipëria”, ka thënë Hoti.

Ndërkaq, profesori i të Drejtës Ndërkombëtare dhe Publike, Besfort Rrecaj është i mendimit që presidentja të shkojë në Beograd, por se ai mendon se para se të shkohet atje, e para e vendit duhet të kërkoj disa kushte.

“Unë mendoj se janë dy kushte që presidentja duhej t’i kërkonte që të jetë e pranishme. E para, mënyra më e mirë e mundshme do të ishte që ajo të prezantohet si presidente e Republikës së Kosovës, që nuk besoj se mund të ndodhë dhe e dyta do të duhej që prezantimi të organizohej në modelin “gymuih”. Si opsion i tretë që do të duhej të haste në mirëkutpim edhe të palës serbe, do të ishte që presidentja të prezantohej në bazë të asaj që janë marrë vesh në procesin negociua mes Serbisë dhe Kosovës”, ka thënë ai për gazetën Tribuna.