Suedia inspiron neutralitetin gjinor

Kompania e njohur e lodrave Toys ‘R’ Us është dorëzuar para presionit të grupit lobues Let Toys Be Toys, duke u pajtuar që t’i reklamojë produktet e veta me qasje neutrale ndaj gjinisë, lëvizje e cila është ndikuar nga një iniciativë e ngjashme e vitit të kaluar në Suedi. “Suedia na ka inspiruar. Në Britani…

Lifestyle

12/09/2013 15:19

Kompania e njohur e lodrave Toys ‘R’ Us është dorëzuar para presionit të grupit lobues Let Toys Be Toys, duke u pajtuar që t’i reklamojë produktet e veta me qasje neutrale ndaj gjinisë, lëvizje e cila është ndikuar nga një iniciativë e ngjashme e vitit të kaluar në Suedi.

“Suedia na ka inspiruar. Në Britani të Madhe gjithmonë e konsiderojmë Suedinë si ikonë të barazisë gjinore”, tha Jo Watts, përfaqësues i fushatës Let Toys Be Toys.

Fushata udhëhiqet nga prindërit të cilët kanë mbledhur 7500 nënshkrime për ta shprehur brengën se reklamimi tradicional bën presion të panevojshëm ndaj fëmijëve për t’iu përshtatur konventave rigjide.

“E kemi parë katalogun suedez të kompanisë Toys ‘R’ Us, me një vajzë e cila në dorë mbante armë. Thamë: nëse e bëjnë në Suedi, pse të mos e bëjmë edhe ne këtu në Britani të Madhe?”.

Fushata ka marrë shumë komente pozitive, veçanërisht të prindërve që janë të ndjeshëm ndaj barazisë gjinore dhe aktivë në rrjetet sociale.

“Edhe sot, në vitin 2013, vajzat dhe djemtë rriten duke dëgjuar nga të rriturit se disa lodra janë për ta, e disa tjera jo”, tha Megan Perryman, aktiviste e fushatës.

“Kjo jo vetëm që është hutuese, por edhe jashtëzakonisht kufizuese, sepse e imponon formësimin e ideve e tyre lidhur me atë se kush janë dhe kush do të bëhen”.

Në muajin mars të vitit 2012, një katalog suedez i lodrave u bë i famshëm duke i përmbysur rolet tradicionale gjinore, pasi e paraqiti Spiderman’in me karrocë bebesh dhe një vajzë në automobil.

Në nëntor të të njëjtit vit, zinxhiri më i madh i lodrave në Suedi bëri të ditur se të gjitha lodrat do të konsiderohen “neutrale ndaj gjinisë”. Në katalogun e botuar për festën e Krishtlindjeve, djemtë luanin me kukulla, kurse vajzat me pushkë automatike.

 Redaktoi: A. M.