Suedia i refuzon leje-qëndrimin Malit, kthimi drejt vdekjes

Bordi i Migracionit të Suedisë ia ka refuzuar leje-qëndrimin, Mal Osmanit dhe prindërve të tij, të cilët kanë shkuar për ta trajtuar atje. Mali vuan nga paraliza cerebrale, që sipas nënës së tij iu ka shkaktuar nga pakujdesia në QKUK. Ajo thotë se në Suedi Mali ka shkuar në gjendje shumë të rëndë dhe se i janë nevojitur disa muaj që të fillojë që të stabilizohet. 

Lajme

08/07/2014 14:21

Institucionet shëndetësore të Kosovës janë dorëzuar para këtij rasti, duke deklaruar se me kushtet që i posedojnë nuk kanë mundësi që ta mbajnë në jetë këtë pacient. Ndërsa kthimi i tij nga Suedia në Kosovë, është kthim drejt vdekjes, shkruan “Preportr”.

Mal Osmani ende nuk i ka mbushur 3 vjet dhe vuan nga paraliza cerebrale. Si pasojë e kësaj sëmundje, ai nuk ka aftësi të gëlltitet, ka hipotoni dhe hipertoni (muskuj të plogësht dhe shumë të shtanguar), nuk mund të ulet, nuk mund ta mbajë kokën në pozitë vertikale, nuk mund të flasë, ka jashtëzakonisht problem me frymëmarrje dhe këlbazë, ka ngecje të mëdha motorike dhe në përgjithësi në tërë zhvillimin e tij.

Nëna e Malit, Lindita Osmani, thotë se kishte një shtatzëni normale, por çdo gjë u shkatërrua nga shkuarja e saj për të lindur në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike të QKUK-së. Ajo thotë se pakujdesia e stafit mjekësor të kësaj klinike ka bërë që Malit t’i shkaktohet ky problem i madh shëndetësor. Ajo ka rrëfyer për Preportr gjithë eksperiencën e hidhur dhe mospërkujdesjen e stafit mjekësor që ka pasur në klinikën në fjalë, ndërsa është shumë e penduar që kishte vendosur për të lindur aty.

“Përveç gjendjes së rëndë, gjithashtu u vërtetua se Mali nga Prishtina bartte një infeksion të quajtur MRSA, virus ky që e ka marrë në klinikën gjinekologjike dhe për këtë arsye e nxorëm me kërkesë tonë  nga Njësia e Neonatologjise në Prishtinë”, thotë Lindita.

Me të kuptuar për diagnozën e rëndë të djalit, ajo ka shikuar të gjitha mundësitë për të shkuar jashtë Kosovës me të vetmin qëllim që t’i sigurojë një trajtim të mirë Malit, i cili nuk mund të mbijetonte në Kosovë.

Për këtë arsye Lindita ka emigruar në Suedi me shpresën se do të gjejë trajtimin e duhur mjekësorë për Malin. Edhe pas arritjes në Suedi dhe paraqitjes në njërin nga spitalet më të mira atje, Malit iu nevojiten disa muaj trajtim special dhe disa operime që ta tejkalojë gjendjen kritike dhe të fillojë që të stabilizohet.

“Edhe pse në gjendje shumë të vështirë dhe buzë vdekjes, u mbajtë gjallë me kushtet dhe mundësitë që ofron Suedia dhe çdo ditë vërehen përmirësime në shëndetin e tij, si në peshë ashtu edhe ne zhvillimin e tij falë ndihmës që i ofrohet këtu”, u shpreh Lindita. 

Por ajo u tronditë kur mori lajmin se Bordi i Migracionit të Suedisë kishte marrë vendim që  ajo bashkë me fëmijën dhe burrin duhet që të kthehen në Kosovë. Sipas saj, kthimi në Kosovë, nënkupton që Mali nuk do të mund të mbijetojë. (Për të lexuar artikullin e plotë kliko këtu)