Suarez është mashtrues, mirë që ka qarë

Ish ylli i Oasis, tifoz i flaktë i Manchester Cityt, Noel Gallagher ka thënë se u gëzua shumë kur pa sulmuesin e Liverpoolit, Luis Suarez duke qarë pas barazimit 3:3 me Crystal Palacen.

Sport

06/05/2014 17:45

Tifozi i famshëm i Manchester Cityt, Noel Gallagher e ka quajtur Luis Suarezin “mashtrues” dhe pranoi se u gëzua kur pa sulmuesin uruguaian duke qarë pas barazimit të Liverpoolit me Crystal Palacen me rezultat 3:3.

Reds lëshuan avantazhin prej tre golave kundër Eagles, duke zbehur shanset për titullin e kampionit në Premierligë. Pas ndeshjes, kapiteni Steven Gerrard dhe Suarez – i cili u zgjodh futbollisti më i mirë i vitit – u panë me lot në sy.

Dështimi i Liverpoolit për të fituar e lë Manchester Cityn nën kontroll në garë për titull të kampionit dhe ish ylli i Oasis, Gallagher, ka thënë se ishte shumë i lumtur nga rezultati.

“Ishte mirë kur pash Suarezin duke qarë pas ndeshjes”, deklaroi ai për Sports Bar.

“Më pëlqeu. Ai është mashtrues i paturp. Si është e mundur që mori çmimin e futbollistit më të mirë të vitit, kurrë nuk e di. Ai është i turpshëm. Ishte kënaqësi të shoh Suarezin dhe Gerrardin duke qarë”, përfundoi ai.