Studentët në Shqipëri vazhdojnë protestat, refuzojnë dialogun

Studentët e Universitetit të Tiranës kanë vazhduar protestat e tyre edhe të shtunën kundër Qeverisë së Shqipërisë duke kërkuar uljen e tarifave të shkollimit dhe përmirësim në cilësinë e arsimit publik.

Lajme

08/12/2018 12:10

Për ditën e katërt me radhë, studentët kanë marshuar në kryeqytetin e Shqipërisë dhe kanë refuzuar thirrjet e institucioneve për dialog, duke thënë se nuk duan negociata, por vendime për përmbushje të kërkesave të tyre.

Ata kërkojnë ulje tarifash, përmirësim të cilësisë së arsimit publik, përmirësim të kushteve në konviktet ku ata jetojnë si dhe një sërë pikash të tjera që kanë të bëjnë me përfaqësimin e tyre në bordet administrative.

Një ditë më parë ata kanë qëndruar përreth 8 orë para ndërtesës së Ministrisë së Arsimit.

Si përgjigje ndaj protestës, të enjten, Ministria e Arsimit u pajtua të heqë pagesat për provimet e mbartura.

Ndërsa të premten, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla u ka dhënë një shkresë zyrtare protestuesve duke thënë se do të rishikojnë kërkesat e tyre dhe do të ngrisin ekipe punuese për t’i adresuar ato.

“Nuk ka negociata” dhe “e duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, brohoritën studentët pasi panë këtë letër dhe thanë se nuk do të tërhiqen deri në përmbushje të plotë të kërkesave të tyre.

Edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, që kohë më parë i kishte quajtur “ngelës” studentët që i kanë mbartur provimet, i ka ftuar ata për dialog duke thënë se “detyra ime është t’i dëgjoj dhe t’i mbështes”.

Qeveria e Shqipërisë thotë se tarifat nuk i përcakton ministria por ato caktojnë universitetet.

Megjithatë, protestuesit pohojnë të kundërtën, duke thënë se është Qeveria ajo që ka caktuar çmimet tavan.

Tarifat vjetore për studentët në universitetet shtetërore të Shqipërisë, varirojnë nga 25 mijë lekë (rreth 200 euro) deri në 40 mijë lekë (rreth 325 euro) në ciklin e parë të studimeve (bachelor).

Ndërsa, për ciklin e dytë të studimeve, sipas profilit që ndjekin, tarifat varirojnë nga 63 mijë (rreth 510 euro) deri në 204 mijë lekë (rreth 1,600 euro).

Këto tarifa konsiderohen të jenë ndër më të lartat në Evropë për universitetet publike, në kohën kur shumë shtete si Gjermania dhe vendet e Skandinavisë kanë hequr tërësisht pagesat për shkollimin publik.

Shqipëria vazhdon të jetë ndër shtetet më të varfra në Evropë.