Studentët e UP-së nesër protestojnë para Zyrës së BE-së

Studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, kanë paralajmëruar protestë për ditën e nesërme.

Lajme

23/12/2018 18:19

Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës ka bërë të ditur se nesër nga ora 11:00 do të marshojnë drejt Zyrës së BE-së për liberalizimin e vizave.

“Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës nis me aktivitete për liberalizimin e Vizave për kosovarët dhe për studentët e Kosovës të cilët e mirëpresin reflektimin e BE-së në raport me kosovarët, dhe mbështet çdo aktivitet që kontribuon në këtë drejtim”, thuhet në njoftim.

Studentët i ftojnë të gjithë qytetarët ta përkrahin këtë iniciativë.

“I ftojmë të gjithë studentët dhe qytetarët e Kosovës që ta përkrahin këtë iniciativë, nesër me datë 24.12.2018 në ora 11:00 para Fakultetit Filozofik fillojmë me një marshim drejt zyrës së BE-së”, bëjnë të ditur studentët.

Studentët e UP-së thonë se nuk e meritojnë izolimin për shkak të mosliberalizimin e vizave.

“Pse duhet të ndihemi të izoluar kur ne jemi shtet dhe i plotësojmë të gjitha kushtet që të jemi pjesë e familjes së Bashkimit Europian, jemi gjeneratë e re, jemi student dhe nuk e meritojmë izolimin, duam ta ndjejmë veten tonë të lirë dhe të kemi më shumë mundësi si të rinjë, na mundësoni të shohim sistemin Europian, na mundësoni të studiojmë jashtë vendit, të këmbejmë përvojat me vendet e rajonit, kësisoj të mbjellim një ideologji progresive dhe të jemi pjesë e zhvillimit të vendit tonë”, thuhet në komunikatën e Arben Elshanit, kryetar i Parlamentit Studentor të UP-së. /Lajmi.net/