Studentët e UP-së, imazhi pozitiv i Kosovës në botë

​ Studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, po tregojnë rezultate pozitive duke marrë pjesë në garat ndërkombëtare që po mbahen në vende të ndryshme të botës.

Lajme

20/04/2017 21:38

Së fundi disa prej tyre kanë marrë pjesë në “Garën ndërkombëtare në fushën e të drejtës ndërkombëtare komerciale dhe arbitrazhit”, garë e cila është mbajtur në Vjenë ku marrin pjesë 350 Universitete, UP-ja ka hyrë në rundet finale, në Top 32-she duke lënë mbrapa rreth 330 universitete.

Dekani i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, Haxhi Gashi, ka thënë se është një lajm shumë i jashtë zakonshëm për UP-në dhe për Kosovën. “Kjo arritje është për UP-në dhe është një tregues që UP-ja është në rrugën e duhur. Merita u takon studentëve dhe profesorëve për këtë arritje. Kësaj radhe na ka mbështetur USAID-it. Kjo arritje na ka gëzuar”, ka thënë ai sot në televizionin publik të Kosovës

Sipas tij kjo është një e mirë që nga rreth 350 universiteteve pjesëmarrës në këtë garë, studentët e UP-së, të jenë ndër më të mirët në mesin e rreth 3000 studentëve.

Ai ka thënë se duhet të ketë më shumë fonde për UP-në. “Këta janë ambasadorët më të mirë të Kosovës dhe të UP-së në botë”, ka thënë Gashi.

Edhe profesoresha Donikë Qerimi ka bërë me dije se koha e përgatitjes për këtë garë është 8 deri në 9 muaj. “Kushti kryesor për aplikim për këtë garë është gjuha angleze. Neve na interesojnë që studentët të jenë aktiv. Nuk merremi shumë me notën mesatare. Ne i zgjedhim studentët më të mirë”, ka thënë ajo. Sipas saj gara është industri në vete. “Gara është shumë e madhe. Kemi marrë lëvdata të jashtëzakonshme nga profesorët”, ka thënë ajo sot në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë”, në Radio Televizionin e Kosovës

Kurse studentja Gentrita Bajrami, ka vlerësuar se ekipi nga Kosova, ka pasur elementin e surprizës. “Ne kemi befasuar ata”, ka thënë ajo.

Ndërsa studenti Klit Shala, ka thënë se pjesëmarrja në këtë garë është një arritje. Sipas tij edhe pse si studentë të UP-së, kanë mungesë të literaturës, kanë arritje në këtë garë.