Studentët e UP-së diplomojnë me tema të blera online (Foto)

Punimi i temave të diplomës me pagesë nga persona ose grupe të caktuara, tanimë është bërë biznes, i cili reklamohet edhe hapur. Me një kërkim të thjeshtë nëpër faqet e rrjeteve sociale, mund të hasësh në oferta për tema diplome, të cilën e merr të gatshme në kundërvlerë të një shume të caktuar të të hollave. Me një fjalë, sot shumë studentë të UP’së, diplomojnë duke blerë temën e diplomimit të tyre.

Lajme

19/07/2017 22:40

Për një dukuri të tillë, personat përgjegjës thonë se nuk janë në dijeni, edhe pse ofertat u sillen përpara syve të tyre. Ata mjaftohen duke thënë se kjo dukuri e dëmton imazhin e UP’së, pavarësisht se imazhi i UP’së, tanimë qysh moti llogaritet të jetë përtokë.

Në Universitetin e Prishtinës, persona të caktuar ofrojnë tema diplomash me pagesë, dhe menagjmenti i universitetit publik, paraqitet sikur nuk janë në dijeni, derisa vetëm në Facebook gjen dhjetra faqe të tilla si: “Tema të diplomës për Fakultetin Ekonomik”, “Punojmë tema diplome”, e të tjera të ngjashme.

Të kontaktuar nga Gazeta Metro, Rektorati i UP’së, thonë se nuk janë në dijeni për një gjë të tillë. Prorektorja, Teuta Pustina, ka thënë për Gazeta Metro, se në Rektorat nuk janë në dijeni për ekzistimin e këtyre faqeve, megjithatë sipas saj, nëse kjo vërtet po ndodhë,  do të merren masa ndaj të gjithë atyre që po e dëmtojnë imazhin e UP’së.

“Kjo çfarë po shoh në rrjete sociale më tmerron dhe se tash po e shoh një dukuri shumë negative që dëmton imazhin e UP-së por edhe të Kosovës në përgjithësi. Në rast të zbulimit të këtyre personave, ju premtoj se Menaxhmenti i UP-së nuk do të rrijë duarkryq, por do të merr masa. Të jeni të bindur se, në qoftë se këta persona që kryejnë këso “shërbime” janë staf i UP-së, e që ende nuk kemi informata, ekziston Këshilli Etik, ai që do të mirret seriozisht me këtë çështje”, përfundoi Teuta Pustina.

Ndërkaq, njohësi i arsmit Dukagjin Pupovci, ka thënë për Gazetën Metro se kjo dukuri është mjaft shqetësuese, madje e ka quajtur të turpshme këtë veprim të personave ose grupeve të caktuara të paidentifikuar deri më tani, të cilët po e bëjnë një gjë të tillë.
“Shitblerja e temave të diplomës është manifestim i turpshëm i gjendjes së arsimit të lartë në Kosovë” tha Pupovci për Gazetën Metro.
Arsyeja kryesore pse ndodhë kjo sipas Pupovcit,  është mungesa e mbikëqyrjes së studentëve që bëjnë punime të diplomës dhe mos angazhimi sa duhet i profesorëve.
“Sikur ata të ishin të mbikëqyrur nga profesorët nuk do të mund t’i blinin temat sepse do të duhej ta bënin një hulumtim në faza dhe t’ia prezantojnë mbikëqyrësit të vet. Mirëpo, kur mbikëqyrja mungon, studenti i pandërgjegjshëm e blen ose e kopjon një punim diplome, të cilin e mbron pa asnjë problem, pasi profesori nuk ka si të dyshojë se nuk e ka punuar vet”.

Njohësi i arsimit mendon se një databazë elektronike e punimeve të diplomës do të ishte mundësi e mirë për ta ndaluar këtë dukuri.

“Temat e diplomës duhet të publikohen në mënyrë që keqpërdoruesit të dekurajohen nga denoncimi i mundshëm. Kur të krijohet një databazë elektronike e punimeve të diplomës, mund të përdoren edhe softuere të specializuara anti-plagjiat që do të pengojnë keqpërdorimet e kësaj natyre”, ka thënë Pupovci.
Kjo dukuri negative është e përhapur në të gjitha fakultetet e Universitetit të Prishtinës, si në nivelin bachelor ashtu edhe në master, por më së shumti në ato fakultete ku numri i studentëve është i madh, dhe numri i profesorëve është i vogël dhe nuk u përgjigjet atyre.