Studentët e Tetovës, aksion humanitar në ndihmë të kumanovarëve

Nën moton ”Me Kumanovën”, Parlamenti Studentor i Universitetit Shtetëror të Tetovës gjatë ditës së sotme e filloi aksionin humanitar për t’u dalë në ndihmë banorëve të Kumanovës, të cilët pësuan nga përleshja e armatosur më 9 dhe 10 maj, në “Lagjen e Trimave”.

Lajme

13/05/2015 23:29

Iniciativës së Parlamentit Studentor të USHT-së iu bashkëngjitën drejtuesit e USHT-së, Rektori, Prof. dr. Vullnet Ameti, Sekretari i përgjithshëm, Adem Beadini, administrata e Rektoratit, administratat e fakulteteve, stafi akademik dhe studentët e USHT-së.

Kryetari i Parlamentit Studentor të USHT-së, Ardian Bilalli theksoi se qëllimi i këtij aksioni humanitar është që sado pak edhe studentët të kontribuojmë në grumbullimin e mjeteve financiare për banorët e Kumanovës, të cilët fatkeqësisht nga konflikti i zhvilluar në “Lagjen e Trimave”, përjetuan ditë të vështira, pasi përveç viktimave, atyre iu shkaktuan edhe shumë dëme materiale nëpër shtëpi, transmeton Zhurnal.

“Ne si Parlament Studentor, prej sot kemi filluar me aksionin humanitar për t’u dalë në ndihmë këtyre banorëve të Kumanovës. Duke pasur parasysh faktin se në vendin që u zhvilluan përleshjet e armatosura, respektivisht në “Lagjen e Trimave” jetojnë shumë kolegë tanë, pra studentë të fakulteteve të ndryshme të USHT-së, por dhe shumë familje shqiptare, ne si studentë vendosëm që të ndajmë dhimbjen bashkë me ta dhe në këto ditë të vështira të solidarizohemi me ata dhe t’i ndihmojmë me mundësitë tona. Dua t’i falënderoj të gjithë ata të cilët kanë kontribuar me të holla deri më tani dhe shpresoj se edhe ditëve në vijim interesimi për t’i ndihmuar banorët e Kumanovës do të rritet. Apeloj deri tek studentët, profesorët dhe të gjithë qytetarët që janë të interesuar të ndihmojnë me mjete financiare, që ditëve në vijim të vijnë në hapësirat e fakulteteve të USHT-së dhe të kontribuojnë me aq sa kanë mundësi, pasi që tashmë të gjithë solidarizohen me Kumanovën dhe njëherësh ju shprehim ngushëllime të gjithë qytetarëve të Kumanovës, përkatësisht qytetarëve të “Lagjes së Trimave”, për tmerrin që përjetuan fundjavën e kaluar”, tha Bilalli.

Në këtë parlament studentor theksuan se aksioni do të vazhdojë edhe ditëve në vijim dhe do të ketë pika grumbullimi nëpër hapësirat e të gjithë fakulteteve të USHT-së.