Studentët e Gjakovës të enjten në protestë

Përfaqësuesit e studentëve në Parlamentin e Studentëve të Universitetit “Fehmi Agani”, në Gjakovë, të enjten do të protestojnë, për largimin e sekretares, Linda Dula Halilabazi.

Lajme

24/05/2016 20:05

Parlamenti i Studentëve të Universitetit “Fehmi Agani”, në Gjakovë kanë formuar edhe Këshillin Organizativ të protestës, protestë kjo e cila do të fillojë të enjten në ora 9:00, me të vetmin qëllim, kundërshtimin e veprimeve të fundit të Universitetit, ndër tjera të luftojnë dukuritë negative, si dhe të kërkojnë llogari për shkelësit e ligjit që punojnë në UGJFA.

Parlamenti i studentëve të Universitetit “Fehmi Agani” Gjakovë përmes një komunikate për media janë shprehur të shqetësuar me situatën e krijuar në këtë universitet.

Ata madje kanë treguar se edhe përkundër ankesave të cilat i kanë adresuar në institucione, asnjë nga kërkesat e tyre nuk është marrë parasysh.

“Pas gjithë këtyre mbledhjeve të vazhdueshme që patëm, shkuam hap pas hapi duke iu referuar rregullave që i ka Parlamenti i Studentëve, duke iu referuar Rektoratit të Universitetit, Ministrisë së Arsimit, Inspektoratit të Arsimit në Gjakovë, me kërkesa, ankesa dhe së fundi zhvilluam Peticion, me nënshkrime të studentëve ( 466 nënshkrime ), për largimin e kërcënueses, shantazhues dhe ofendueses së studentëve Linda Dula Halilabazi, për largimin e politikës nga Universiteti, për shqyrtimin e kërkesave dhe ankesave të studentëve”, thuhet në komunikatën e lëshuar për media.

Për protestën e së enjtes janë njoftuar edhe Policia Rajonale e Gjakovës.

Ata veç tjerash në komunikatë kanë paralajmëruar që protesta do të jetë paqësore, nga ana e studentëve.